Martesa e fëmijëve, mungesa e arsimit, dëshpërimi financiar - një vit pas marrjes së pushtetit nga Talibanët, çfarë pret e ardhmja për gratë dhe vajzat?
Hera e fundit që Aalam Gul Jamshidi, pa vajzën e saj ishte nata kur 16-vjeçarja u martua me një burrë më shumë se dyfishin e moshës së saj.
Aziz Gul dukej rrezatuese me një fustan nuseje të bardhë dhe shami të verdhë të ndezur. “Nëse shkoj atje, do të sakrifikohem”, kujton nëna e saj, kur iu lut vajza e saj atë natë, tetorin e kaluar.
Aalam Gul kishte një ndjenjë dëshpërimi, por e bindi veten se ishin thjesht nerva. Martesa e Aziz Gulit ishte aranzhuar katër vjet më parë dhe tani që kishte ardhur koha, e dinte se ishte detyra e saj të inkurajonte vajzën drejt familjes së re.
Në kulturën afgane, sapo një femër martohet, jeton në shtëpinë e vjehrrit. Aziz Gul la shtëpinë e familjes së saj në Gozar Gah, në periferi të Heratit, dhe u transferua në shtëpinë e burrit të ri, Musa, në Jawand, një lagje rurale rreth 200 kilometra larg, shumë larg, që familja e saj ta vizitonte lehtësisht.

Thirrja e kobshme telefonike
Pesë muaj më vonë, bie telefoni. Ishte babai i Musas që telefonoi për t'i thënë Aalam Gulit se vajza e saj ishte vrarë. Trupi i saj i zhveshur ishte gjetur në një pyll jashtë fshatit ku ajo kishte jetuar me vjehrrit e saj. Aziz Guli ishte rrahur dhe qëlluar katër herë pas shpine.
Ajo ishte 17 vjeçe dhe katër muajshe shtatzënë.
Përpara se familja të largohej, kur Aziz Guli ishte vetëm 12 vjeçe, prindërit ranë dakord ta martonin me Musën kur ajo të mbushte 16 vjet, mosha minimale ligjore për martesë në Afganistan nën qeverinë e mëparshme. Talebanët nuk kanë përmendur nëse ajo moshë minimale ka ndryshuar. Në këmbim, vëllai i saj i madh 26-vjeçari Aminullah do të martohej me mbesën 18-vjeçare të Musës, Shakar, shkruan “Al-Jazeera”.
Në të gjithë Afganistanin, është e zakonshme që fëmijët, veçanërisht vajzat, të martohen. Familjet organizojnë martesa për të shlyer borxhet personale, për të zgjidhur mosmarrëveshjet, për të përmirësuar marrëdhëniet me familjet rivale, ose thjesht sepse shpresojnë se martesa do t'u ofrojë atyre mbrojtje nga ekstremet më të këqija të vështirësive ekonomike dhe trazirave sociale dhe politike.
Megjithëse martesat e fëmijëve nuk gjurmohen plotësisht në Afganistan, me boshllëqe në të dhëna konkrete, UNICEF-i ka raportuar se fëmijët janë shitur që nga mosha 20-ditëshe për martesën e ardhshme, me vajzat të prekura në mënyrë disproporcionale.
Shumë po marrin vendime të dëshpëruara për të mbijetuar, duke përfshirë shitjen e fëmijëve të tyre, veçanërisht vajzat e vogla, në martesë ose rregullimin e martesës së tyre për të marrë një prikë ose mahr. Prika, e paguar nga dhëndri për familjen e nuses, është një praktikë tradicionale në të gjitha martesat në Afganistan, por më shumë familje tani po e kërkojnë këtë për t'i ndihmuar ata të mbijetojnë kohë të vështira financiare, përshkruan “Al-Jazeera”.

"Jam i shqetësuar për vajzat e mia"
Në shtëpinë e familjes Jamshidi, me tulla balte në Gozar Gah, Khaja Abdul ulet në dysheme me këmbët pak të kryqëzuara dhe duart të kapura.
“Ne duam drejtësi nga talebanët, por çfarëdo që të përcaktohet në Sheriat, ne do ta pranojmë këtë si drejtësi”, thotë ai. "Ne duam vetëm të gjejmë vrasësin".
Ai gjithashtu është i gatshëm të vrasë vrasësin e vajzës nëse gjykatat islamike vendosin që një dënim me gjak është në rregull, edhe pse, për momentin, ata janë në humbje pasi autoritetet lokale të policisë e kanë konsideruar rastin të mbyllur.
E përkulur pranë të shoqit, e veshur në të zeza me një hixhab jeshil të errët të mbështjellë lirshëm rreth kokës së saj, Aalam Guli është dukshëm e shqetësuar. Duart i dridhen, ndërsa shtrëngon një celular me një foto të vajzës së saj të ndjerë.
Lotët i rrjedhin në fytyrë ndërsa kujton herën e fundit që folën. “Kam folur me të katër ditë para se të vdiste. Kishte probleme të dukshme me familjen e saj të re, por ajo nuk hyri në detaje të plota se çfarë”.
"Aziz Guli ishte e ndritur dhe e këndshme", reflekton nëna e saj. “Ajo studioi në një medrese për vajza. Ajo ishte gjithashtu e interesuar të bëhej oficere policie”, i ka treguar e ëma “Al-Jazeeras”.
“Gjëja më e vështirë për të në idenë e martesës ishte lënia e shkollës. Asaj i pëlqente të studionte”. Aalam Guli, e cila nuk shkoi kurrë në shkollë, duke reflektuar mbi idenë se vajzat e saj mund të jetonin një jetë tjetër. “Uroj që ato të mund të jetojnë në një botë ndryshe nga ajo që njoh unë. Është e vështirë këtu në Afganistan”, ka theksuar ajo për “AL-Jazeeran”.
Familjes i nevojitej gjithashtu prika e Aziz Gulit prej 3.500 dollarësh për të mbijetuar. Që nga shpërngulja në Herat, burrat e familjes Jamshidi kanë punuar në ndërtim, por puna nuk ka qenë konsistente dhe ata janë përballur me vështirësi ekonomike në rritje.
Aalam Guli shikon vajzat e saj të mbetura, adoleshente, të ulura pranë saj në shtëpinë e tyre të vogël dhe psherëtin rëndë. Dy nga motrat e Aziz Gulit fillojnë të qajnë kur kalojnë nëpër fotot e saj. Kur pyetet për të ardhmen e tyre, ajo është e frikësuar. Në situatën e tyre ekonomike, ajo e di se do të duhet të vazhdojnë të martojnë vajzat e tyre, por ideja e një humbjeje tjetër është e frikshme.
“Jam e shqetësuar për vajzat e mia dhe kam frikë të humbas të tjerat. Përvoja e varrosjes së një vajze është e tepërt për çdo nënë”, thotë ajo.

Shitja e fëmijëve dhe martesa e fëmijëve
Në Afganistan, gratë dhe vajzat kanë luftuar për dekada, me çdo ndryshim në qeveri duke i shtuar një dimension të ri sfidave me të cilat përballen. Gjatë regjimit të fundit taleban, gratë kishin pak ose aspak liri; ata nuk lejoheshin të punonin apo të shkonin në shkollë. Nën republikën e mëparshme që mori pushtetin në vitin 2004, gratë ishin më të dukshme në jetën publike, por të drejtat e grave ende luhateshin, veçanërisht në zonat rurale. Dhuna në familje shpesh justifikohej edhe nga kultura konservatore, kujton “Al-Jazeera”.
Nën Afganistanin e ri të drejtuar nga talebanët, rregullat e reja që kufizojnë liritë rreth veshjes, arsimimit, të drejtës për punë dhe lirisë së lëvizjes vazhdojnë të miratohen. Që nga marrja e pushtetit vitin e kaluar, vajzat përtej klasës së gjashtë nuk janë lejuar të ndjekin shkollën. Kjo është mosha ku vajzat, historikisht, janë më të rrezikuara për t'u martuar.
Vajzat deri në nëntë vjeç po shiten dhe të paktën një ose dy gra në ditë i japin fund jetës së tyre në Afganistan për shkak të situatës aktuale, tha Fawzia Koofi, ish-zëvendëskryetarja e parlamentit afgan, para Kombeve të Bashkuara muajin e kaluar.
Ka shqetësime se talebanët nuk duket se janë të fokusuar në zhdukjen e martesës së fëmijëve. Shumë luftëtarë talebanë kanë marrë për vete nuset, fëmijë. Shefi i talebanëve, Haibatullah Akhunzada, nxori një dekret që ndalonte martesën e detyruar në dhjetor, por ai nuk përmendte moshën minimale për martesë. Dhe Sadiq Akif, zëdhënësi i Ministrisë së Promovimit të Virtytit dhe Parandalimit të Vesit, u citua në fillim të këtij viti duke thënë se "kur një vajzë arrin pubertetin, ajo mund të martohet". Puberteti te vajzat zakonisht ndodh midis moshës tetë dhe 13 vjeç.
Ndërsa shumica e vendeve e konsiderojnë moshën 18-vjeçare si moshën e pjekurisë, shumë vende lejojnë të martohen nën moshën 18 vjeçare, në disa ose të gjitha rrethanat, shkruan “Al-Jazeera”.
Mjerimi i madh ekonomik
Martesa e fëmijëve ka ekzistuar gjithmonë në Afganistan. Por, raportet e fundit sugjerojnë një rritje të shitjeve të fëmijëve dhe martesave të nxitura nga një krizë e thelluar humanitare pas pushtimit të talebanëve. Ekonomia e vendit e varur nga ndihma ishte tashmë në rrezik kur talebanët morën pushtetin gushtin e kaluar. Më pas komuniteti ndërkombëtar ngriu rreth 9 miliardë dollarë asete afgane jashtë shtetit dhe ndaloi të gjitha financimet, duke hezituar të punonte me qeverinë talebane. Pasojat kanë qenë shkatërruese për një vend tashmë të goditur nga dekada lufte dhe varfërie.
"Prindërit ndonjëherë martojnë një vajzë sepse nuk mund ta ushqejnë atë dhe ata mendojnë se mund të jetë alternativa e tyre e vetme për të mbajtur gjallë veten dhe fëmijët e tjerë", shpjegon Heather Barr, drejtoreshë e asociuar për të drejtat e grave për “Human Rights Watch”. “Është gjithashtu e paprecedentë të kesh një vend të tërë vajzash të mbyllura për të vijuar shkollimin e mesëm”, ka shtuar ajo për “Al-Jazeeran”.
UNICEF-i zbuloi se rreziku i martesës së fëmijëve është më i lartë me talebanët që ndalojnë vajzat adoleshente të ndjekin shkollën. “Për të adresuar martesën e fëmijëve, duhet të ketë një presion të qëndrueshëm dhe urgjent nga komuniteti ndërkombëtar mbi talebanët për të rihapur shkollat. Por përtej kësaj, duhet të ekzistojë një sistem, me përfshirjen e shkollave dhe agjencive të ndryshme qeveritare, që të edukojë shoqërinë se pse martesa e fëmijëve është e dëmshme”, thotë Barr, ndërsa nuset fëmijë vazhdojnë të jenë viktima të dhunës në familje, vdekjes gjatë lindjes dhe vetëvrasjes.
Përktheu: Forca Jashari