Botë

U hap fondacion për blerjen e dronëve “Bayraktar” për Ukrainën, kompania turke ia jep falas

Kompania turke e dronëve Bayraktar, njoftoi në Twitter se do t’ia japë falas tre dronë ushtrisë ukrainase në luftë kundër Rusisë, shkruan “Aviacionline” të martën.

Një fondacion bamirës lituanez fillimisht ftoi qytetarët që të ndihmonin financiarisht për t’i grumbulluar 20 milionë dollarë që t’i blinin dronët, por kur kompania turke e pa këtë, doli me njoftim se dronët do ia jap falas.

“Baykar është njoftuar për një kampanjë të quajtur ‘Bajraku i Popullit’ që rezultoi e suksesshme për mbledhjen e fondeve për të blerë disa dronë UAV Bayraktar, për t’i përdorur në mbrojtje të atdheut. Baykar nuk do të pranojë pagesë për dronët dhe do t’i dërgojë tre dronë pa pagesë në frontin e luftës”, thuhet në komunikatën e lëshuar në Twitter, derisa u theksua se 20 milionët e mbledhur mund të përdoren për ndihma humanitare në Ukrainë.

Ukraina ka përdorur shumë dronë turq kundër Rusisë.

Ata po konsiderohen të lirë dhe efikas. Droni është vetëm 6.5 metra i gjatë, me një hapje krahësh prej 12 metrash dhe një motor me 100 kuaj fuqi. Ai ka aftësinë të shkatërrojë forcën ushtarake kundërshtare edhe për shkak të gjurmës së tij të vogël në radar, kryesisht kalon pa u vënë re.