Botë

Ofruesit e abortit, të rrezikuar para verdiktit të shumëpritur

“E dimë nga përvoja, nuk është sikur njerëzit që protestojnë në klinikat e shteteve ku ndalohet, që thjesht i paketojnë gjërat dhe shkojnë në shtëpi”, ka theksuar Melissa Fowler, shefe e programit për Federatën Kombëtare të Abortit

Në javën e saj të parë në punë në një klinikë aborti në Filadelfia, Amanda Kifferly u mësua se si të kërkonte bomba. Rreth një vit më vonë protestuesit i bllokuan hyrje-daljet e qendrave të grave, në një moment duke e tërhequr Kifferlyn në diçka që i ngjante një grope, ku e rrethuan dhe e shtynë.

E në natën e argumenteve të dimrit të kaluar para Gjykatës së Lartë të SHBA-së, në një rast që mund t’i jepte fund të drejtës mbarëkombëtare për abort, njerëzit u mblodhën jashtë një klinike në Nju Xhersi me karrige lëndine, frigoriferë dhe me pishtarë flakërues – pamje që solli në mendje “linçimet” dhe tmerret e tjera të së kaluarës raciste të vendit, ka theksuar Kifferly, e cila tash shërben si zëvendëspresidente për qasjen ndaj abortit.

Image
Paul King pastron xhamin e thyer pas një sulmi me armë herët në mëngjes në objektin CompassCare, qendër kundër abortit në Amherst më 7 qershor 2022

Paralajmërimet e frikshme

Skena të tilla janë bërë të njohura për ofruesit dhe pacientët në të gjithë vendin gjatë dekadave që nga vendimi historik i vitit 1973 Roe kundër Wades për legalizimin e abortit. Ndonjëherë dhuna ka qenë shumë më e rëndë, duke përfshirë bomba, zjarrëvënie e vrasje – nga ajo e dr. David Gunn në vitin 1993 jashtë një klinike aborti në Florida deri te vrasja fatale e tre personave në vitin 2015.

Tani ofruesit e disa njerëz të zbatimit të ligjit shqetësohen se çfarë do të vijë më pas. Ata po përgatiten për rritje të dhunës sapo të vendosë Gjykata e Lartë, duke thënë se historikisht ka pasur rritje dhune kur çështja e merr vëmendjen e gjerë të publikut, si për shembull, kur shteti miraton kufizime të reja.

Në qoftë se vendimi shfuqizon Roe kundër Wade – ashtu siç pritet të jetë opinioni – ata gjithashtu parashikojnë që protestat, ngacmimet dhe lloje të tjera të dhunës mund të jenë më të përqendruara dhe të intensifikohen në shtetet ku aborti mbetet i ligjshëm.

“E dimë nga përvoja, nuk është sikur njerëzit që protestojnë në klinikat e shteteve ku ndalohet që thjesht i paketojnë gjërat dhe shkojnë në shtëpi”, ka theksuar Melissa Fowler, shefe e programit për Federatën Kombëtare të Abortit.

Grupi dhe qindra klinikat e abortit që ai përfaqëson kanë qenë në gjendje “gatishmërie” që nga rrjedhja e opinionit, ka thënë Fowler. Organizata ka staf të specializuar sigurie gjatë gjithë kohës. Ata dalin në klinika për të bërë stërvitje me punonjësit dhe vullnetarët për skenarë të tillë si kërcënimet me bombë ose sulmuesit aktivë, dhe i këshillojnë ata për gjëra të tilla, si ku t’i vendosin kamerat e sigurisë. Ata, po ashtu, kryejnë vlerësime të sigurisë në shtëpitë e mjekëve, monitorojnë kërcënimet në internet dhe konsultohen me njerëz të zbatimit të ligjit.

Ndërveprim institucionesh

Në disa vende, policia lokale po punon me klinikat në përpjekje për ta ulur potencialin për dhunën. Në Jackonville, Florida, zyra e sherifit muajin e kaluar ka njoftuar se do ta vendosë një zyrtar policor jashtë klinikës, kurse policia në Little Rock, Arkansas, ka instaluar një kamerë në majë të një vinçi pranë një klinike aborti që ka qenë vendi i protestave, me shpresën se do të pengohen njerëzit e dhunshëm.

Menjëherë pas rrjedhjes së informacionit dhe disa ditë më pas, policia në Cherry Hill, Nju Xhersi, nisi patrulla shtesë rreth vendndodhjes së Qendrës së Grave, ka bërë të ditur Kifferly.

Mirëpo, marrëdhënia midis klinikave dhe policisë lokale nuk është gjithmonë pozitive dhe klinikat duhet ta kenë parasysh nëse prania e madhe e policisë do t’i frikësojë pacientët, ka thënë Fowler.

Në përvojën e Kifferlyt, se sa mirë funksionojnë klinikat dhe departamentet e policisë së bashku varet nga qyteti dhe shteti. Ajo e mban mend se si i kërkoi ndihmë një polici kur u sulmua jashtë klinikës së Filadelfias dhe ai iu përgjigj duke thënë se është dashur ta “telefononte 911”.

NAF, e cila mbledh të dhëna mujore nga mbi 500 anëtarët e saj mbi ngacmimet dhe dhunën, ka raportuar për rritje të incidenteve në vitin 2020, viti më i fundit për të cilin grupi ka publikuar të dhëna. Numri i kërcënimeve me vdekje ose kërcënimeve për dëmtim dhe sulme u rrit dyfish, dhe ofruesit raportuan më shumë se 24 mijë incidente të emaileve me gjuhë të urrejtjes ose ngacmimeve në internet.

Ofruesit e abortit raportuan rritje pasi Donald Trump u bë president, dhe “ekstremistët mendonin se ishte në rregull që ata të mos ishin në hije”, ka theksuar Fowler. Pandemia e koronavirusit dukej se po i përkeqësonte gjërat, vuri në dukje Kifferly, dhe në të katër shtetet ku funksionojnë qendrat e grave - New Jersey, Connecticut, Georgia dhe Pennsylvania – “ne u rrethuam nga protestuesit” të zemëruar që klinikat e abortit ishin të hapura teksa kishat ose bizneset e tyre ishin të mbyllura.

Cak dhune

Kundërshtarët e abortit gjithashtu kanë qenë objektiva të dhunës dhe thonë se kanë parë gjithashtu një rritje të incidenteve që nga rrjedhja e draft-vendimit, megjithëse FBI-ja në një memorandum të vitit 2020 i përshkroi incidentet si historikisht “të rralla”.

Menjëherë pasi projekt-opinioni u bë publik, Zyra e Inteligjencës dhe Analizës e Departamentit të Sigurisë Kombëtare ka njoftuar se drafti e kishte bërë më të mundshme dhunën ekstremiste - nga njerëzit në të dyja anët e çështjes.

Susan B. Anthony, nga Pro-Life America, ka treguar se këto ishin midis më shumë se 40 incidenteve të dhunës, frikësimit dhe vandalizmit në qendrat e shtatzënisë dhe në kishat në javët e fundit.

Në fillim të qershorit, një burrë me armë, thikë, zinxhirë dhe sende të tjera u arrestua pranë shtëpisë së gjyqtarit Brett Kavanaugh në mes të natës. Ai i ka thënë policisë se donte ta vriste gjyqtarin, sepse ishte i mërzitur për draft-opinionin, si dhe për të shtënat masive fatale në një shkollë fillore në Uvalde, Teksas.

Gjykata pritet të nxjerrë vendimin e saj në ditët apo javët në vijim.

Sa i përket asaj që mund të ndodhë më pas për ofruesit e abortit, fokusi ka qenë se si të sigurohet kujdes për njerëzit që e kërkojnë atë, nëse aborti ndalohet në më shumë shtete. Por Fowler tregon se ekziston shqetësimi tjetër: “Duhet të përqendrohemi edhe te siguria”.

Përktheu: Blerta Haxhi