Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është duke monitoruar zhvillimet pas tërmetit vdekjeprurës në Afganistan dhe ka urdhëruar administratën e tij të vlerësojë opsionet e reagimit të SHBA-së, ka thënë të mërkurën këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, shkruan “Politico”.
"Jemi të përkushtuar të vazhdojmë mbështetjen tonë për nevojat e popullit afgan, ndërsa qëndrojmë me ta gjatë dhe pas kësaj tragjedie të tmerrshme", ka thënë Sullivan.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me grupet humanitare aktive në Afganistan që marrin mbështetje nga Uashingtoni.
“Partnerët humanitarë të SHBA-së tashmë po përgjigjen, duke përfshirë edhe dërgimin e ekipeve mjekësore për të ndihmuar njerëzit e prekur dhe ne po vlerësojmë opsionet e tjera të reagimit”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Blinkenit.
Një tërmet i fuqishëm goditi rajonin malor në lindje të Afganistanit dhe la të vdekur të paktën një mijë njerëz. Raportohet për mbi 1500 të lënduar.
Tërmeti me magnitudë prej 6.1 shkallë të Rihterit, është një nga më vdekjeprurësit në dekada, kanë thënë zyrtarët në Afganistan. Numri i të vdekurve mund të vazhdojë të rritet ndërsa ekipet po i largojnë rrënojat.