Falë temperaturave të ajrit që shkuan deri në 34 gradë celsius, qindra qytetar të Kievit, e kaluan të shtunën e kaluar në plazhin kryesor të qytetit, shkruan “Daily Mail”.
Fotografitë e bëra në brigjet e lumit Dnieper tregojnë qytetarët e kryeqytetit ukrainas që vizitojnë plazhin kryesor të qytetit gjatë fundjavës për të notuar, luajtur volejboll, për t'u bërë banjë dielli dhe për të lexuar, duke harruar për pak kohë luftën apo edhe sa afër ishin të pushtoheshin nga rusët, apo edhe të vriteshin.

Pas nisjes së luftës në Ukrainës, Kievi u rrethua nga trupat ruse, por edhe pas një muaji përpjekje, nuk ia dolën të pushtojnë kryeqendrën e këtij vendi.
Granatime e vrasje si pasojë e tyre, pati shumë.

Mediumi ukrainas “Pravda” shkruan se Shërbimet e Shpëtimit të qytetit të Kievit janë aktualisht në kërkim të mjeteve shpërthyese në plazhet e qytetit dhe në fund të Dnieprit.
Më 8 qershor, zyrtarët e qytetit njoftuan se plazhi kryesor i qytetit dhe plazhi i Venecias ishin "të pastra" dhe se nuk ishte gjetur asnjë mjet shpërthyes. U tha se aksioni i pastrimit të hapësirave publike do të zgjasë dy javë.

Pasi mbrojtësit ukrainas zmbrapsën sulmet ruse ndaj kryeqytetit gjatë muajit të parë të luftës në Ukrainë, Kievi po e vëzhgon kryesisht “nga larg” pushtimin rus. Paqja relative që mbretëron në Kiev është përdorur nga qytetarët e saj për të vizituar kafene dhe restorante dhe, sa më shumë të jetë e mundur, për të jetuar normalisht.
Në fakt, shoqërimi dhe festat duhet të përfundojnë deri në orën 23:00, kur nis ora policore, megjithëse autoritetet e rendit në shumë raste lejojnë lëvizjet edhe përtej këtij orari.

Raketa që shkatërroi një magazinë dhe një punishte për riparimin e lokomotivave dhe vagonëve hekurudhorë më 5 qershor, ishte e para që ra mbi Kiev pas pesë javëve.
Shëtitësit e qenve dhe prindërit me fëmijë dolën nga shtëpitë e tyre edhe para se të shuheshin zjarret që shpërthyen pas sulmit. Në këso rrethana, mund të thuhet se kjo është jetë nornale e banorëve të Kievit.

Një pjesë e mirë e rreth dy milionë qytetarëve të Kievit që u larguan nga qyteti për shkak të sulmeve ruse tani janë kthyer.
“Njerëzit ndihen mirënjohës, por pyesin veten nëse po bëjnë mjaftueshëm për të ndihmuar vendin”, tha Snjezhana Vijalko për Associated Press, duke shtuar se ajo dhe partneri i saj Denis Korejba, së fundmi blenë dredhëza nga një tregtar frutash, i cili ngriti stendën aty ku e kishte dikur, e që gjatë sulmeve ruse kishte thasë me rërë.

Ka ende pika kontrolli, por dukshëm më pak se më parë dhe ushtarët e vendosur në to nuk janë aq të rreptë sa më parë. Qyteti duket se po merr sërish frymë normalisht.
Lufta në Ukrainë është e koncentruar në lindje të vendit.
