Botë

OBSH-ja konfirmon 80 raste të lisë së majmunëve në 11 vende

Rreth 80 raste të lisë së majmunëve janë konfirmuar në 11 vende, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke paralajmëruar se ka të ngjarë të raportohen më shumë sosh.

OBSH-ja thotë se 50 raste të tjera të dyshuara janë duke u hetuar, pa përmendur asnjë shtet, raporton BBC të shtunën.

Më herët, infeksionet u konfirmuan në Itali, Suedi, Spanjë, Portugali, SHBA, Kanada dhe Britani.

Lija e majmunëve është më e zakonshme në pjesët e largëta të Afrikës qendrore dhe perëndimore.

Ky është një infeksion i rrallë viral, i cili zakonisht është i butë dhe nga i cili shumica e njerëzve shërohen brenda disa javësh, sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar.

Virusi nuk përhapet lehtë midis njerëzve dhe rreziku për publikun e gjerë thuhet të jetë shumë i ulët.

Nuk ka një vaksinë specifike për linë e majmunit, por një vaksinë kundër lisë ofron 85% mbrojtje pasi të dy viruset janë mjaft të ngjashëm.