Botë

Elon Musk është bërë personi më i fuqishëm në botë

Descriptive Text

Në dhjetor, revista “Time” ia vuri titullin “Personi i Vitit” Elon Muskut. Pesë muaj pas njoftimit, vështirë se dikush mund ta vërë në pikëpyetje titullin. Pakkush ka arritur të ketë ndikim kaq të madh në industri të shumta, sa që të përcaktojë ekonominë globale: rrjetet sociale, udhëtimet në hapësirë, ngasje autonome e veturave, transporti elektrik e inteligjenca artificiale.

Tani shefi i “Teslas”, kompanisë më të vlefshme të veturave në botë, dhe “Space X” që ka mision të çojë njerëz jashtë Tokës, po e merr edhe Twitterin, platformën që ai beson se është esenciale për të ardhmen e demokracisë.

Siç shkruan CNN, Musku tash jo vetëm që është personi më i pasur në botë, por edhe më i fuqishmi.

Twitteri privat

Ka kaluar kohë e gjatë që kur Twitteri i pati ditët e para krejtësisht të lira. Platforma ka bërë përmirësime të mëdha në kontroll të përmbajtjes e suspendim të llogarive që ngacmojnë tjerët ose përhapin dezinformata.

Por Musk e ka bërë të qartë se beson që Twitteri është “tejkorrektuar”.

“Mendoj se duhet të jemi shumë më të ngurtë në fshirjen e gjërave dhe të jemi shumë të vëmendshëm me përjashtimet e përhershme”, ka thënë Musk më herët gjatë muajit. Ai ka shtuar se “timeout” (pezullime të përkohshme) janë më të mira se të përhershmet.

Duke kthyer kompaninë në private, Musku do të përballet me pak rezistencë në moderim të përmbajtjes në krahasim me pararendësit e tij. Ai ka paralajmëruar se “duhet të lejohet të ekzistojnë” postime që janë në “zonën e hirtë”. Por nëse e tejkalojnë këtë zonë dhe hyjnë në qasje shumë kontroversve duhet të merren masa.

Twitteri është vetëm një fraksion i madhësisë së Facebookut, por vlera e saj është e koncentruar në elitat politike e figura mediatike, që e shfrytëzojnë si megafon. Twitteri është hapësira ku lajmet e fundit dalin në kohë reale.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, udhëheq listën e të famshmëve të përjashtuar. Që kur u përjashtua, ai ka thënë se s’do të kthehet edhe po që se do t’i lejohet. Tash vendimi, që prek figurat më të larta politike në botë, është në duart e Muskut.

Pionier i ngasjes së re dhe hapësirës

Në mes ambicieve të shumta të Elon Muskut është dërgimi i njerëzve nga njëra pikë në tjetrën në mënyra krejtësisht të reja.

Deri tash, kompania e tij “Space X” ka shkëlqyer në misionin e dërgimit në hapësirë. Arritjet inxhinierike të saj janë të dukshme. Kompania tani dërgon rregullisht ekuipazhe në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe ishte e para që nisi një ekuipazh tërësisht turistik në orbitë, në muajin gusht.

Me Teslan, ambiciet e Muskut për ngasjen e së ardhmes tashmë janë në pah. Kompania të cilën e themeloi më 2008, ka hyrë fuqishëm në tregjet e botës dhe ka tejkaluar vlerën e një trilioni dollarë – duke u bërë kompania më e vlefshme e veturave në botë.

Vlera është e bazuar në zhurmën dhe pritjet për veturat tërësisht elektrike e vetëvozitëse. Teknologjia e kompanisë është përshkruar si jokonsistente, por Muskut vazhdon të mos i pengojë duke thënë se viktimat në trafik mund të reduktohen deri në 99 për qind.

Pavarësisht premtimeve të shkelura, Musku ka arritje të jashtëzakonshme. Ai komandon biznese të shumta që mund të përcaktojnë të ardhmen e botës. Pasuria e tij, në vlerë 257 miliardë dollarësh, ka forcën për të ndikuar në botë.

Blerja e Twitterit është vetëm një nga këta hapa.