Botë

Boshnjakët kujtojnë tmerret e rrethimit të Sarajevës

Banorët duruan sprovën gati katërvjeçare gjatë luftës së Bosnjës. Të mbijetuarit, mësues, mjekë e aktorë, që nuk hoqën dorë nga profesionet e tyre as atëherë, thonë se lufta tregoi vlerën e jetës

Kjo ishte shkollë për fëmijë në Sarajevë në vitin 1995.

Nxënësit vazhduan të mësonin gjatë rrethimit më të gjatë ushtarak në historinë moderne.

Por thasët mbi dritaret e thyera dhe klasat e errëta shoqëronin shkollimin gjatë luftës së Bosnjës.

Rrethimi serb i Sarajevës filloi më 5 prill 1992 dhe vazhdoi për 44 muaj.

Për pjesën më të madhe të asaj kohe, rreth 400.000 banorë të qytetit multietnik mbetën pa energji elektrike, ujë ose ngrohje, duke u fshehur nga zjarri pothuajse i vazhdueshëm i snajperëve dhe mbi 300 predha në ditë që shpërthejnë në qytet.

Image
Mësuesja Arijana Gjidel po mban mësim në shkollën “Fatima Guniq”, ku ende ka shenja lufte

Shenja lufte

Në shkollën fillore “Fatima Guniq”, ndërtesa ende ruan shenja luftimesh.

Ndërtesat e shkollave ishin shpesh në shënjestër të sulmeve me mortaja, kështu që leksionet u zhvendosën në bodrumet aty pranë dhe në dyqane dhe banesa të braktisura në katin e parë.

Mësuesja Arijana Gjidel u përpoq të vazhdonte punën, pavarësisht nga rreziku që rrethonte nxënësit e vegjël

“Fëmijët janë të pafajshëm, nuk e kuptonin plotësisht se çfarë po ndodhte, por ishin shumë të frikësuar, gjatë orëve të mësimit, kur fillonin të shtënat apo granatimet, mblidheshin rreth meje dhe më shikonin sikur mund t'u ofroja një zgjidhje. Mësueses i takonte t'i shpërqendronte disi, t'u thoshte 'le të këndojmë diçka' ose të ngjashme. Sigurisht që edhe unë isha e frikësuar, por nuk mund ta tregoja frikën time para fëmijëve të vegjël dhe përkundrazi u thosha gjithmonë se do të mbarojë së shpejti, që të mos shqetësohen”, tregon Gjidel.

Dhe nxënësit e saj ngushëlloheshin në mësimet e tyre.

"Më besoni, gjatë luftës, fëmijët studionin shumë më fort se sot. Është e vështirë të besohet, por është e vërtetë. Shkolla, shokët e shkollës dhe mësuesit ishin gjithçka që kishin në atë kohë", thotë Gjidel.

Por as shkuarja në shkollë nuk ishte e sigurt.

Në nëntor 1993, një mortajë u përplas në një nga klasat e improvizuara të shkollës së Gjidelit, duke vrarë kolegen e saj, mësuesen Fatima Guniq, dhe tre nga nxënësit e saj, të gjithë më të rinj se dhjetë.

Shkolla tani mban emrin e saj.

Image
Në nëntor 1993, një mortajë ra në një nga klasat e improvizuara, duke vrarë mësuesen Fatima Guniq, dhe tre nga nxënësit e saj, të gjithë më të rinj se dhjetë vjeç. Sot shkolla mban emrin e saj

“Atëherë ishim mjekë më të mirë....”

Në spitalin e qytetit të Sarajevës, “Abdulah Nakas”, rrethimi sfidoi skajshmërisht personelin.

Do të vinin njerëz me lëndime të tmerrshme nga plumbat ose predha snajperësh - por mjekët duhej të operonin pa disa nga burimet më elementare.

Doktor Dragan Stevanoviq e kujton shumë mirë se sa e vështirë ishte të shpëtosh jetë.

“Ne nuk kishim energji elektrike dhe as shumë gjëra të tjera që të funksionojë një spital modern, as dhoma normale kirurgjike. Nuk kishim drita, nuk kishim ngrohje, nuk mund t'i sterilizonim instrumentet në mënyrë normale, nuk kishim ashensorë dhe asgjë tjetër”, thekson ai.

Dëmet janë ende të dukshme në katet e sipërme të spitalit, një kujtim se edhe ky vend ishte një objektiv.

"Gjatë gjithë asaj kohe, ne ishim nën sulme të vazhdueshme të armikut, snajperëve dhe mortajave, dhe na u desh të shqetësoheshim për sigurinë e pacientëve tanë, të të plagosurve dhe stafit tonë”, thotë Stevanoviq.

Ai beson se lufta e bëri atë një mjek më të mirë.

“Por përvoja e kohës së luftës më kishte bërë më të fortë duke më treguar se ajo që na thanë në shkollë është e vërtetë, se gjithçka që dëshiron një njeri është e mundur, se mjekësia është shumë më tepër se ajo që mund të gjesh në tekste dhe norma profesionale, dhe kam vazhduar të mbështetem në këtë në jetën time dhe në punën time pas luftës”, thotë ai.

Kjo rrugë kryesore e ngarkuar u bë e njohur si "Rruga e Snajperëve" gjatë luftës.

Image
Rrethimi ushtarak i Sarajevës për 44 muaj është më i gjati në historinë moderne të luftës

Art në luftë

Por pavarësisht rrezikut, sarajevasit bënë çmos për të vazhduar jetën e tyre - të shkëputur nga pjesa tjetër e botës.

Shfaqja e një skene kulturore të gjallë të kohës së luftës ishte ndoshta dëshmia më e fortë e qëndrueshmërisë dhe sfidës së qytetit, madje duke tërhequr disa artistë me famë botërore si Susan Sontag dhe Joan Baez në qytetin e rrethuar.

Izudin Bajroviq është aktor, i cili në vitin 1993 interpretoi shfaqjen e Susan Sontagut, “Duke pritur Godonë”.

"Në ditët e para, ndoshta edhe muajt e rrethimit, ne pushuam së qeni aktorë, mjekë, punëtorë, kamerierë. Ne u bëmë civilë që jetojmë në një qytet të rrethuar dhe po përpiqeshim sa më mirë që mundnim t'i përshtateshim jetës në një kontekst të ndryshuar drastikisht. Por pas tronditjes fillestare u bëmë përsëri vetvetja”, thotë ai.

Dhe ndërsa rrethimi ishte një kohë e dhimbshme, ai gjithashtu sjell kujtime krenare.

"Të mbijetuarit nga rrethimi na ndihmoi të zbulonim brenda vetes diçka që nuk e dinim se ishte aty, na ndihmoi të kuptojmë se mund të durojmë atë që dukej e padurueshme. Që ne mund të jemi të uritur, të etur dhe të mërdhirë dhe ende të kërkojmë dhe të gjejmë bukurinë e jetës”, thotë Bajroviq.

Përktheu: Rexhep Maloku