Të shtunën gazetarët e AP-së panë sesi ushtarët ukrainas i tërhiqnin trupat me kabllo nga distanca, nga frika se ushtarët rusë kishin vendosur mjete shpërthyese në trupat e civilëve të vrarë. Banorët e Buchas kanë thënë se të vdekurit ishin civilë që u vranë pa asnjë provokim
(AP) - Ushtria ukrainase ka gjetur trupa të bërë shoshë me duar të lidhura, me plagë në kokë dhe shenja të torturave, pasi ushtarët rusë janë tërhequr nga periferia e Kievit, kanë bërë të ditur autoritetet të dielën. Zbulimi i këtyre trupave ka nxitur thirrjet e reja për hetime kundër krimeve të luftës dhe ashpërsim të sanksioneve kundër Rusisë.
Gazetarët e “Associated Press” në Bucha, qytet i vogël në veriperëndim të kryeqytetit, kanë parë trupat e së paku nëntë civilëve, të cilët janë vrarë nga një distancë e shkurtër. Së paku dy të tjerë kishin duart të lidhura prapa. AP-ja gjithashtu ka parë dy trupa të lidhur me shirit plastik, të cilët ishin hedhur në një kanal.
Autoritetet kanë thënë se po dokumentonin krimet që ka kryer Rusia. Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se pamjet e civilëve të masakruar nëpër rrugët e Buchas janë të ngjashme me skenat e frikshme të filmave. Ka shtuar se disa prej civilëve janë qëlluar në kokë dhe me duar të lidhura. Disa trupa të tjerë kishin shenja të torturës. Ka raportime edhe për përdhunime.
Të shtunën gazetarët e AP-së panë sesi ushtarët i ukrainas tërhiqnin trupat me kabllo nga distanca, nga frika se ushtarët rusë kishin vendosur mjete shpërthyese në trupat e civilëve të vrarë. Banorët e Buchas kanë thënë se të vdekurit ishin civilë që u vranë pa asnjë provokim.
“Çfarë ndodhi në Bucha dhe në lagjet e tjera të Kievit mund të përshkruhet vetëm si gjenocid”, ka thënë kryetari i Kievit, Vitaly Klitschko. Ai u ka bërë thirrje shteteve të tjera që të ndalojnë importin e gazit.
Edhe
Të paktën 10 të vrarë nga sulmet e reja ruse në Kiev
“As edhe një cent nuk duhet të shkojë në Rusi. Janë para të përgjakura që po përdoren për të masakruar njerëzit. Embargoja ndaj gazit duhet të bëhet menjëherë”, ka thënë Klitschko.
Sulmet ruse
Ushtria ruse ka hyrë në Ukrainë nga të tria anët më 24 shkurt. Ushtarët që kanë hyrë nga pjesa veriore në javët e fundit kanë tentuar të krijojnë shtegun për Kiev. Avancimi i tyre ka dështuar shkaku i rezistencës së madhe të ushtrisë ukrainase. Për këtë shkak, Moska është përqendruar që pushtimi të vazhdojë drejt Donbasit.
Nëse Rusia arrin ta rrethojë e t’i shkatërrojë forcat ukrainase në zemrën industriale të vendit, të quajtur Donbas, mund të përpiqet edhe t’ia diktojë kushtet e saj Kievit, e më shumë gjasë edhe të përpiqet ta ndajë vendin në dysh.
Vëzhgues të shumtë kanë sugjeruar se ndryshimi i strategjisë nga presidenti rus, Vladimir Putin, mund të reflektohet si pranim i dështimit të planit të tij ndaj Ukrainës, duke e detyruar atë t’i kufizojë qëllimet dhe t’i ndryshojë taktikat mes një lufte katastrofike që i ka shkaktuar Rusisë një gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.
“Çka po shohim ne tani është pranimi nga udhëheqja ushtarake në Kremlin, madje ndoshta edhe nga vetë Putini, që operacioni përfundimisht nuk po shkon sipas planit”, është shprehur për Associated Press, Mathieu Boulegue, analist ushtarak në Chatham Houese.
Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, i cili ka folur në kushte anonimiteti për t’i diskutuar vlerësimet e brendshme të Inteligjencës amerikane, ka njoftuar se ka pasur pak ndryshim në situatën në terren në Ukrainë.
Boulegue ka theksuar se beson që Rusia do t’i përqendrojë trupat e saj drejt rajonit të Donbasit në javët e ardhshme, në përpjekje që të bashkojë një urë tokësore midis Krimesë dhe rajonit Donbas të pushtuar.
“Ata do ta kthenin luftën e lëvizjes në një luftë rrënimi, pasi Rusia ta kuptojë se nuk është më në gjendje të pushtojë më shumë tokë ose të hyjë më tej në territorin ukrainas”, ka thënë Boulegue.
Putini dhe gjeneralët e tij nuk kanë zbuluar qëllime specifike ushtarake apo afat kohor të planifikuar.
Humbjet e mëdha dhe ritmi i ngadaltë i ofensivës ruse mund të jenë faktorë që ta detyrojnë Putinin t’i ulë ambiciet dhe të marrë një qasje më realiste.
Megjithatë, Boulegue ka paralajmëruar se ekziston mundësia që nga zhgënjimi rusët mund të fillojnë të përdorin “thellësinë dhe gjerësinë e zjarreve të tyre masive të artilerisë për t’i shtypur plotësisht qytetet ukrainase”.
Ai ka treguar se megjithëse Mariupoli ishte në “gjendje të keqe”, "ata nuk kanë përdorur gjithçka që kishin në dispozicion”.
Thirrje për sanksione
Edhe
Të paktën 17 të vrarë në sulmin masiv rus në Kiev
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, gjithashtu bëri thirrje për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, duke përfshirë embargon e plotë të energjisë.
Charles Michel, president i Këshillit Evropian, ka shkruar në Twitter se ishte i tronditur nga “pamjet e tmerrshme të mizorive të kryera nga ushtria ruse” në rajonin e kryeqytetit. BE-ja dhe organizatat joqeveritare po ndihmonin në përpjekjet për të ruajtur provat e krimeve të luftës, sipas Michelit, i cili premtoi “sanksione të mëtejshme të BE-së” kundër Rusisë.
Ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe dënuan krimet e ushtrisë ruse në periferi të Kievit. Kanë thënë se Rusia do të mbajë përgjegjësi.
“Ne nuk do ta lejojmë Rusinë të mbulojë përfshirjen e saj në këto mizori përmes dezinformatave cinike dhe do të sigurojmë që realiteti i veprimeve të Rusisë të dalë në dritë”, ka thënë sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.
Mariupoli i rrethuar
Teksa Rusia është tërhequr nga kryeqyteti, pjesë të tjera të vendit ishin nën rrethim. Rusia ka thënë se po i drejton trupat në Ukrainën Lindore, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar forcat ukrainase për tetë vjet.
Mariupoli, porti juglindor në Detin Azov, mbeti i shkëputur nga pjesa tjetër e vendit teksa forcat tokësore ruse luftuan për të pushtuar qytetin. Rreth 100.000 civilë - më pak se një e katërta e popullsisë së paraluftës prej 430.000 - besohet se janë bllokuar atje me pak ose aspak ushqim, ujë, karburant dhe ilaçe.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka thënë se shpresonte se një ekip prej nëntë punonjësish dhe tri automjete që dërgoi të shtunën për të ndihmuar evakuimin e banorëve do të arrinin në Mariupol të dielën, por paralajmëroi se "situata në terren është e paqëndrueshme dhe subjekt i ndryshimeve të shpejta".
Autoritetet ukrainase kanë thënë se Rusia ra dakord ditë më parë të lejojë kalimin e sigurt nga qyteti, i cili ka qenë cak i disa prej sulmeve më të këqija dhe vuajtjeve më të mëdha, por marrëveshje të ngjashme janë prishur vazhdimisht.
Një parking supermarketi në qytetin ukrainas të Zaporizhzhias është bërë terreni për dhjetëra mijëra njerëz që ikin nga Mariupol.
Peycheva Olena, e cila doli nga qyteti i rrethuar, ka thënë për Sky News të Britanisë se u detyrua ta linte trupin e të shoqit të pavarrosur kur u vra nga bombardimet.
“Kishte granatime dhe ne u përpoqëm ta tërhiqnim, por kishte shumë dhe nuk ia dolëm”, shpjegoi vajza e saj, Kristina Katrikova.
Teksa gjeografia e fushëbetejës u ndryshua, pak ndryshoi për shumë ukrainas në ditën e 39-të të një lufte që ka dërguar më shumë se 4 milionë njerëz të ikin nga vendi si refugjatë dhe kanë zhvendosur miliona të tjerë nga shtëpitë e tyre.
Edhe
Ukraina kryen një prej sulmeve më të rënda ndaj Rusisë
Kryebashkiaku i Chernihivit, i cili gjithashtu ka qenë nën sulm për javë të tëra, ka deklaruar të dielën se bombardimet e pamëshirshme ruse kanë shkatërruar 70% të qytetit verior. Ashtu si në Mariupol, Chernihivi është ndërprerë nga dërgesat e ushqimit dhe furnizimeve të tjera.
“Njerëzit mendojnë se si mund të jetojnë deri nesër”, ka thënë Atroshenko.


Të shtunën, gazetarët e AP-së panë sesi ushtarët ukrainas i tërhiqnin trupat me kabllo nga distanca, nga frika se ushtarët rusë kishin vendosur mjete shpërthyese në trupat e civilëve të vrarë. Banorët e Buchas kanë thënë se të vdekurit ishin civilë që u vranë pa asnjë provokim