Para se të niste lufta Vlad Minchenko pikturonte dhe bënte tatuazhe.
Mirëpo qëkur ushtria ruse mori kontrollin e qytetit Bucha në afërsi të Kievit, ai po mbledh trupat e të vdekurve.
“Kur lufta nisi më 24 shkurt, gruaja më zgjoi në pesë të mëngjesit. Më tregoi telefonin ku shkruante se ka nisur lufta. Nuk i besoja lajmit dhe isha shumë i qetë”, ka thënë ai.
44-vjeçari nisi të mblidhte trupat e të vdekurve kur në qytet ende ishin ushtarët rusë.
“Njerëzit po ecnin nëpër rrugë ose po ngisnin biçikletën kur snajperët i qëlluan në kokë. Disa prej tyre janë në oborr. Gjashtë apo shtatë njerëz me duar të lidhura u qëlluan me plumba në kokë”, ka shtuar ai.
Thotë se ushtarët rusë e urdhëruan të merrte 15 trupa të të vdekurve. Të njëjtën ditë e kërcënuan se do ta vrisnin edhe atë.
“Kam mbledhur shumë trupa, më shumë se 100. Nuk mund të gjej fjalët për të përshkuar atë që ka ndodhur në ditët e para”, ka thënë ai.
Minchenkoo thotë se me vullnetarët e tjerë çdo ditë ftohen nga të afërmit për të varrosur trupat nëpër varreza.
I ulur pranë varrezave në Bucha, Minchenko thotë se duart kanë nisur t’i dridhen në mëngjesin e parë kur nisi t’i mblidhte trupat e civilëve të vdekur.
“Duart më dridhen në mëngjes. Kur zgjohem nuk mund të shtyp numrat apo të shkruaj mesazhe në telefon. Dridhjet ndalen më vonë gjatë ditës. Shpresoj se do të ndalen, sepse është e pamundur të bëj tatuazhe apo të bëj ndonjë punë tjetër me duar që dridhen”, ka shtuar ai.
Qyteti i vogël i Buchas ka përjetuar një prej skenave më të rënda të gjenocidit nga ushtarët rusë që kryen krimet para se të tërhiqeshin nga qyteti.