Botë

Putini humbi nëntë komandantë ushtarakë në luftën në Ukrainë

Descriptive Text

Nëntë prej komandantëve ushtarakë të Vladimir Putinit janë vrarë në pushtimin rus të Ukrainës, raporton The Sun.

Ata janë në mesin e afro 12 mijë trupave ruse që Ukraina pretendon se janë vrarë që kur nisi pushtimi më 24 shkurt.

I fundit që u vra është gjeneral-majori Vitaly Gerasimov. Ai u vra në periferi të Kharkivit.

Gerasimov ishte dekoruar me medalje për rolin e tij në pushtimin e Krimesë në vitin 2014, e po ashtu mori medalje nga shteti rus për udhëheqjen e trupave ruse në luftën në Siri e po ashtu gjatë luftës së dytë çeçene.

Tre top-komandantëve ushtarakë rusë po ashtu u vranë në luftime në Ukrainë.

Koloneli Dmitry Safronov, që udhëhoqi brigadën e marinsave, u vra po ashtu siç u vranë edhe koloneli Denis Glebov dhe ai Konstantin Zizevsky, që kishin drejtuar trupat e sulmeve ajrore.

Safronov dhe Glebov u vranë kur forcat ukrainase e rikthyen qytetin Chuhiv, ndërsa Zizevsky u vra në jug të Ukrainës.

Vdekja e tyre vjen pasi komandantë tjerë rusë ishin vrarë gjatë luftimeve.

Gjeneral-majori Andrei Sukhovetsky u vra nga një snajperist ukrainas gjatë luftimeve në fushën ajrore Hostomel rreth 50 kilometra në periferi të kryeqendrës Kiev. Dhe gjenerali Magomed Tushaev, vdiq duke udhëhequr forcat speciale çeçene në afërsi të Hostomelit. U shkatërrua batalioni çeçen që kishte marshuar me afro 56 tanke duke synuar të futej në Kiev. Ishte raportuar se ky batalion kishte synim vrasjen e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në mesin e rusëve të vrarë është edhe i ashtuquajturi “lordi i luftës”, Vladimir Zhonga. Ai kishte udhëhequr Batalionin Sparta, një njësit ushtarak neo-nazist që ka mbështetjen e Kremlinit.

Grupi është prapa një numri të sulmeve vrasëse kundër trupave ukrainase dhe kishte bërë luftë në rajonin e Donbasit tash e tetë vjet.

Dy komandues tjerë të lartë ushtarakë rusë, emri i të cilëve nuk është bërë i ditur, po ashtu u vranë në luftën në Ukrainë.

Putini e kishte quajtur pushtimin rus të Ukrainës si një operacion ushtarak. Ai tha se synim është demilitarizimi i Ukrainës dhe “de-nazifikimi”.

Rusia pi i paraqet dukshëm më të ulëta shifrat e ushtarëve të saj që janë vrarë në Ukrainë. Rusia thotë se afro 500 ushtarë rusë janë vrarë. Ukraina ndërkohë pretendon për mbi 12 mijë ushtarë rusë të vrarë.

E sot CIA ka thënë se që nga 24 shkurti janë vrarë afro 4000 ushtarë rusë.