Rusia i ka dhënë zyrtarëve ukrainas ultimatum deri në ora 15:00 me kohë lokale për të vendosur nëse duan të takohen e të bisedojnë në qytetin bjellorus Gomel, raporton CNN.
Vladimir Medinsky, kreu i delegacionit rus dhe këshilltar i presidentit Rus, Vladimir Putin, ka thënë për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti se do të qëndrojnë deri në ora 15:00 me kohë lokale e presin për përgjigje.
“Me të marrë konfirmimin, ne do të nisemi për të takuar në negociatat homologët tanë. Ne jemi për paqe”, ka thënë Medinsky.
Mirëpo, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të dielën ka thënë se nuk do të takohet me delegacionin rus në Bjellorusi, një vend nga ku është shtënë me raketa për në Ukrainë.
Ai ka thënë se është i gatshëm të takohet në cilindo shtet tjetër nga ku nuk ka pasur sulme në drejtim të Ukrainës.