Botë

Kremlini jep më shumë detaje mbi propozimin për takim me Ukrainën

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, dha më shumë detaje të premten në lidhje me një propozim të dalë më herët gjatë ditës për dërgimin e përfaqësuesve në kryeqytetin bjellorus Minsk për të biseduar me Kievin, duke pretenduar se pala ukrainase ishte kundërpërgjigjur me një propozim për t'u takuar në Varshavë dhe më pas kishte hequr dorë nga kontaktet.

"Putin telefonoi menjëherë presidentin Alexander Lukashenko dhe ranë dakord që pala bjelloruse dhe presidenti do të bënin gjithçka për të organizuar sa më mirë ardhjen e delegacioneve dhe për të garantuar sigurinë e tyre - ky element është gjithashtu i rëndësishëm tani - dhe kushtet për zhvillimin e këtyre negociatave drejtpërdrejt", tha Peskov në një telefonatë me gazetarët.

"Pala ruse menjëherë, në emër të presidentit, formoi një delegacion të përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Administratës Presidenciale. Të gjitha këto informacione u sollën në vëmendjen e ukrainasve", tha ai.

Peskov shtoi: "Pas një pauze të shkurtër, ukrainasit thanë se donin të shkonin në Varshavë. Dhe pas kësaj ata bënë një pauzë dhe u larguan nga lidhja".

Përpara komenteve të Peskov, këshilltari presidencial ukrainas Oleksiy Arestovych i tha CNN të premten se qeveria ukrainase "po shqyrton propozimin".

Zëdhënësi i Kremlinit pohoi se pauza u shoqërua me vendosjen e sistemeve të shumta të raketave lëshuese në zonat e banuara, duke përfshirë në Kiev nga "elementë nacionalistë", diçka që Peskov tha se Kremlini e konsideronte "jashtëzakonisht të rrezikshme".

SHBA-ja ka vëzhguar të paktën 200 lëshime gjithsej raketash që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, u tha gazetarëve të premten një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, duke shtuar se "disa nga këto raketa që kemi vlerësuar kanë prekur zonat e banuara të civilëve".