Botë

Shefi i marinës gjermane jep dorëheqje pas komenteve për Ukrainën

Kreu i marinës gjermane, Kay-Achim Schönbach, ka dhënë dorëheqjen për komentet e diskutueshme që ai bëri për Ukrainën.

Ky vendim erdhi pasi Kay-Achim Schönbach tha se ideja se Rusia donte të pushtonte Ukrainën ishte e pakuptimtë. Ai shtoi se gjithçka që dëshironte presidenti Putin ishte respekti.

Një numër vendesh kanë furnizuar me armë Ukrainën, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe. Por Gjermania ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për municion, raporton BBC.

Schönbach tha të shtunën se ai kishte dhënë dorëheqjen nga roli i tij "me efekt të menjëhershëm" në mënyrë që "të shmangte dëmtimin e mëtejshëm".

Komentet e tij, kreu i marinës gjermane i bëri derisa fliste në një diskutim në Indi të premten dhe video u publikua më vonë në mediat sociale.

Në video, Schönbach tha se Putini duhej të trajtohej si i barabartë nga perëndimi.

"Është e lehtë t'i japësh atij respektin që ai me të vërtetë kërkon dhe gjithashtu ndoshta e meriton," tha ai, duke shtuar se gadishulli i Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në 2014, "ka ikur dhe nuk do të kthehet më".

Ministria e Jashtme e Ukrainës i kishte përshkruar komentet e zotit Schönbach si "kategorikisht të papranueshme".

Ukraina ka denoncuar reagimin e Gjermanisë, duke akuzuar Berlinin për minimin e unitetit perëndimor duke refuzuar transferimin e armëve në Ukrainë ose duke lejuar disa nga aleatët e saj ta bëjnë këtë.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, nëpërmjet disa postimeve në Twitter tha se qëndrimi i Gjermanisë e inkurajoi Putinin të nisë një sulm.

Gjermania ka refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë. Ajo thuhet se ka bllokuar përpjekjet e Estonisë për t'i dërguar Ukrainës armë me origjinë gjermane, sipas Wall Street Journal.

Nga ana tjetër, Ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht i tha gazetës “Welt am Sonntag” se Berlini tashmë kishte dorëzuar respiratorë në Ukrainë dhe ushtarët ukrainas të plagosur rëndë po trajtohen në spitalet ushtarake gjermane.