Berlini po përjashton tani për tani dërgesat e armëve në Ukrainë, ka bërë të ditur ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, në një intervistë të botuar të shtunën, disa ditë pasi Britania filloi të furnizonte Kievin me armë antitank.
Një grup dypartiak i senatorëve amerikanë i premtoi gjithashtu Ukrainës armë, të cilat mund të përfshijnë raketa, armë të vogla dhe varka, për të ndihmuar vendin të mbrohet nga një pushtim i mundshëm nga Rusia, mes një ngritjeje ushtarake ruse në kufijtë e saj.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, megjithatë, ka theksuar politikën e Berlinit për të mos furnizuar me armë vdekjeprurëse zonat e konfliktit.
“Unë mund ta kuptoj dëshirën për të mbështetur Ukrainën, dhe kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë tashmë”, ka thënë Lambrecht për të përjavshmen Welt am Sonntag.
"Ukraina do të marrë një spital të plotë fushor së bashku me trajnimin e nevojshëm në shkurt, të gjitha të bashkëfinancuara nga Gjermania për 5.3 milionë euro”, ka thënë ajo, duke vënë në dukje se Gjermania ka trajtuar trupat ukrainase të plagosur rëndë në spitalet e saj ushtarake.
“Por Berlini nuk është gati të furnizojë Kievin me armë për momentin”, shtoi ajo.
Me komentet e saj, ajo mbajti anën e Ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock, e cila tha se Gjermania nuk do të kritikojë vendet e tjera për gatishmërinë për të furnizuar me armë Ukrainën.