Policia në Maharashtra të Indisë ka arrestuar një adoleshent që dyshohet se i preu kokën motrës së tij shtatzënë.
Gruaja 19 vjeçe ishte martuar me një burrë pa pëlqimin e familjes, kanë thënë zyrtarët e policisë.
Ajo po bënte çaj për nënën dhe vëllain kur u sulmua me drapër. Më pas, ai dhe nëna e tij u dorëzuan në polici.
Policia dyshon se ata gjithashtu bënë një fotografi “selfie” me kokën e gruas.
Djali u dërgua në qendër mbajtjeje për të mitur, pasi avokati tha se ishte nën 18 vjeç. Megjithatë, policia tha se do ta demantonin këtë pasi gjetën një certifikatë që tregon se djali është i rritur.
Viktima kishte ikur në qershor dhe u martua pasi familja e saj e kundërshtoi lidhjen. Edhe pse dy të dashuruarit vinin nga kasta e njëjtë, familja e saj nuk e aprovoi lidhjen sepse familja e djalit ishte më e varfër se ata vetë, shkruan BBC.
Gruaja nuk e kishte kontaktuar familjen pas martesës, por e ëma e kishte vizituar një javë para vrasjes.
Aktivistët thonë se qindra njerëz vriten çdo vit në Indi pasi bien në dashuri ose martohen kundër dëshirës së familjeve. Këto vrasje shpesh quhen “vrasje nderi”, referuar traditave dhe nderit të familjeve në shoqërinë indiane.