FBI-ja ka zbuluar detaje të reja rreth skemës së re me kuponë të falsifikuara në vlerë prej 31.8 milionë dollarëve, që ka dërguar një çift nga Virginia Beach në burg për gati 20 vjet, raporton CNN.
Në një komunikatë për media javën e kaluar, FBI-ja ka treguar se hetuesit kanë zbuluar kuponë të rrejshëm në “çdo të çarë” të shtëpisë që i përkiste Lori Ann Talens dhe burrit të saj, Pacifico Talens Jr. Kursimet e falsifikuara kapnin vlerën e më shumë se 1 milion dollarë. Ata gjetën gjithashtu edhe modele për kuponë për më shumë se 13 mijë produkte në kompjuterin e Lori Ann Talens.
“Ajo e trajnoi veten në teknika të ndryshme, që i duheshin për të manipuluar barkodet për t’i bërë këta kuponë që të funksionojnë”, tha agjentja Shannon Brill.
Talens, që konsiderohet si truri prapa kësaj skeme, krijonte kuponë të rrejshëm me zbritje “afër apo edhe mbi” vlerën e tregut të artikullit në shitje me pakicë.
Talens nuk i përdori kuponët e falsifikuar për veten. FBI-ja ka treguar se ajo u shiti ato abonentëve që i gjeti në rrjete sociale dhe që komunikuan me të duke përdorur një aplikacion të mesazheve të koduara. Talens u pagua më shumë se 400 mijë dollarë në kriptovaluta si Bitcoin.
Kjo skemë e mashtrimit që zgjati tre vjet u zbulua nga Korporata Informuese e Kuponëve, që ka marrë një informacion se dikush po bënte dhe po dërgonte kuponë false. Një grup prodhuesish humbi 125 mijë dollarë nga kuponët e rrejshëm të Talensit.
Në shtator, Talens u dënua me 12 vjet burgim për “kryerjen e një skeme mashtrimi me kuponë të falsifikuar” që u shkaktoi deri 32 milionë dollarë humbje prodhuesve dhe shitësve, siç ka njoftuar Departamenti i Drejtësisë. Burri i saj u dënua me 7 vjet burgim për shkak se ishte në dijeni dhe përfitonte nga skema.
Çifti u akuzua se përdori paratë për renovim të shtëpisë, përfshirë ndërtimin e një pishine të re dhe rimodelimin e kuzhinës. Talens në një deklaratë dhënë “The New York Times” ka thënë se është “thellësisht e turpëruar” nga veprimet e bëra.