Botë

FDA-ja jep lejen për kombinimin e vaksinave COVID dhe për dozat përforcuese të Modernas e J&J

Foto: AP
 

Agjencia Federale e SHBA-së për Ushqim dhe Barna (FDA) ka dhënë dritën e gjelbër për doza përforcuese të vaksinës anti-COVID për amerikanët që kanë marrë vaksinën e Modernas apo të Johnson & Johnson, dhe ka thënë se të gjithë që kanë të drejtë të marrin dozën shtesë, mund të marrin të një marke tjetër, ndryshe nga ajo që morën fillimisht, raporton agjencia AP.

Vendimi i FDA-së shënon një hap të madh para drejt zgjerimit të fushatës për dozën e tretë të vaksinës në SHBA, e cila nisi fillimisht me vaksinën e Pfizerit muajin e kaluar. Mirëpo, para vendimit final, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, do të konsultojë të enjten një panel të ekspertëve. Më pas do të finalizohen rekomandimet se cilët do të kenë të drejtë të marrin doza përforcuese dhe kohën se kur mund të marrin ato.