Në fillim i ngritur në qiell si politikan model, Sebastian Kurzi dha dorëheqje në fundjavë pas hetimeve për përfshirje në një aferë korrupsioni. Dokumentet nga hetimi tregojnë se kishte një sistem alla-mafioz, që përfshinte liderë politikë dhe kurdisje mediatike për vite me radhë, shkruan gjermania “Der Spiegel” në shkrimin e gjatë, në të cilin sjell edhe biseda e mesazhe telefonike të politikanëve të përfshirë në skandal. “Koha Ditore” sjell sot pjesën e tretë të hulumtimit të gjatë
Fokusi i prokurorëve të shtetit mbi kancelarin Sebastian Kurz do të thotë se njëri prej këshilltarëve të tij më besnik, Thomas Schmid, edhe njëherë e gjen veten në qendër të vëmendjes.
45-vjeçari nga Tiroli ka bërë paraqitje në disa hetime që kanë të bëjnë me ÖVP-në e Kurzit, të cilat filluan pas publikimit të videos së famshme të Ibizas. Përveç Kurzit, edhe disa anëtarë të tjerë të ÖVP-së janë nën llupë: përfshirë ministrin e financave, Gernot Blümel dhe dy paraardhësit e tij: zëdhënësin e partisë për çështjet juridike, ish-zëdhënësi i partisë, ish-ministri i drejtësisë dhe një zyrtar i lartë i Ministrisë së Drejtësisë, i cili është suspenduar.
Disa prej të akuzuarve përfunduan në pozitën që janë për shkak se i besuari i komunikimeve, Schmidi, nuk fshiu krejt mesazhet e tij telefonike. Hetuesit kanë qenë në gjendje të sigurojnë gati 300 mijë prej tyre, pjesërisht me ndihmën e një hard-disku që doli të jetë makinë për kthim në kohë. Përmbante mesazhe që shtynë hetuesit të gërmojnë edhe më shumë në kronizmin konservator, shkruan gazeta gjermane “Der Spiegel”.
Schmidi punoi për ish-kancelarin konservator Wolfgang Schüssel dhe ishte emëruar sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave në vitin 2015. Paratë e taksapaguesve i shihte si një lloj çifligu mbi të cilin kishte kontroll të plotë. Kur buxheti i Ministrisë së Jashtme u rrit për 160 milionë euro, ai i shkroi Kurzit, që në atë kohë mbante pozitën e ministrit të Jashtëm: “Këtë e kemi bërë vetëm për ty”. Pastaj i shkroi ministrit të ardhshëm të Financave, Blümel: “Tani, Kurzi mund të dhjerë para”.
Nga pozicioni i tij në Ministrinë e Financave, Schmid shtriu ndikimin për promovim si shef i kompanisë shtetërore në vlerë prej 26 miliardë eurosh, “Öbag”.
Mesazhet e Schmidit
Toni i mesazheve telefonike të Schmidit shpesh shihet mes vulgaritetit dhe servilizmit, fakt që ndikoi në rritjen e pakënaqësisë mes liderëve politikë të Austrisë qëkur u publikuan dokumentet e para të bisedave. Bisedat e publikuara më poshtë janë mesazhe të shkëmbyera menjëherë pas emërimit të Schmidit si shef i “Öbag”:
“E dua kancelarin tim”. (Mesazh i Schmidit për Kurzin).
“Jam njëri prej rojave tua pretorian që zgjidh problemet në vend të shkaktimit të tyre”. (Mesazh i Schmidit për Kurzin).
“Do të kërcej në Danub sot dhe krejt për fajin tënd” (Mesazh i Schmidit për Blümelin në kohën kur problemet po krijoheshin). “Kujdes po kërcen mbi mua”. ( Ia ktheu Blümel).
“Ti merr gjithçka do gjithsesi”. (Mesazhi i Kurzit për Schmidin).
“Dashuria me devotshmëri mund të jetë e mirë” (Mesazh i Blümelit për Schmidin).
Duken sikur një grup shokësh të tubuar para një harte dhe bëjnë me gisht kush çfarë do të marrë. Dhe përsëri, në aferën e fundit, ndjenja e drejtësisë që duket e shtrembëruar përsëri i takon Schmidit, i cili vitin që shkoi u hetua për përdorim të drogave.
“Mitterlehner është i marrë”, thuhej në njërin prej mesazheve të tij. Në një tjetër ai thekson se nuk duhet ekzagjeruar kur bëhet ndërhyrja në sondazhet e opinionit publik “përndryshe do të jetë i pabesueshëm”. WKStA-ja shkruan se Schmidit nuk i mungon dijenia se ajo që po bënte ishte e jashtëligjshme. Kjo mund të shihet nga kërkesa që të mos dërgojë materialet komprometuese me emailin e tij të punës.
Kthimi në rastin Ibiza: “Këta nuk jemi ne. Kështu nuk duket Austria”, kishte thënë presidenti austriak Alexander Va nder Bellen në fjalimin e tij kombëtar pas publikimit të videos së Straches. Që prej asaj kohe, u bë e qartë se ÖVP-ja do të shpenzonte dy fish më shumë sesa iu lejua në fushatën e vitit 2017. Por, gjithashtu donatorët xhepgjerë, si miliarderja Heidi Goëss-Horten dhe biznesmeni Klaus Orter, shpenzuan me miliona euro për ÖVP-në. Prokurorët e shtetit janë duke hetuar edhe numrin e personave me lidhje të afërt me partinë që mund të kenë ndihmuar në financat e saj.
Në fakt, pyetja që pason nuk është elementi kryesor i hetimeve të cilat janë publike deri më tani: Ku i mori Kurzi tërë ato para që ia mundësuan të financonte një fushatë gati të madhësisë amerikane dhe a u ka premtuar ndonjë gjë si kthim?
Investitori miliarder René Benko, i afërt me Kurzin, ka blerë gati gjysmën e gazetës me ndikim “Kronen Zeitung”.
Martin Ho, një pronar i njohur restorantesh vjenezë me origjinë nga Vietnami, person të cilin Kurz e quan mik dhe shpesh janë fotografuar së bashku – është në presion të madh për shkeljen e masave të koronavirusit dhe për akuzat se klubet e tij të natës janë treg i shitjes së jashtëligjshme të drogës.
Ata që në vitet e fundit e kanë përcjellë Kurzin, e kanë të qartë se ishte tërbuar. “Nuk do të jem në gjendje të ndryshoj faktin se shumë njerëz më sulmojnë çdo ditë. Por, nuk befasohem dhe nuk më pengon pas gjithë këtyre viteve”, kishte thënë Kurzi për “Der Spiegel” pas kthimit në Vjenë nga Gjermania. Nuk dukej si deklaratë bindëse. As reflektive. Kancelari përparimtar, ishte e qartë, se kishte hyrë në qorrsokak.
Rrjeti i kuq
Për Kurzin, drejtimi i vetëm për një kohë të gjatë ishte ngritja lart, deri në publikimin e videos së Ibizas. Superylli i ri me kostume të kaltra e të ngushta, dukej se mund të bënte gjithçka – derisa prokurorët e shtetit filluan të hallakasnin në ÖVP dhe FPÖ, prej telefonave të Straches e deri te krahu i tij i djathtë, Johann Gudenus.
Kur Kurzi u detyrua të dëshmonte para gjykatës në Vjenë më 3 shtator për shkak të dyshimeve se kishte gënjyer para komitetit parlamentar, u bë e qartë se sa ishte i pakënaqur: “Nuk e di se çfarë mendoni për mua, por nuk jam komplet idiot”, kishte thënë ai. Nuk është, vazhdoi Kurzi, lloji i “gjysmëzgjuarsisë” që do të gënjente kur dhjetëra e mijëra mesazhe që kishin të bënin me punën e tij si kancelar do të thoshin të kundërtën.
Mbetet e paqartë e ardhmja e Kurzit. Tani kur është dorëhequr, ka një moment që nuk do ta harrojë për një kohë të gjatë: Një bisedë jozyrtare me gazetarët më 20 janar të vitit 2020 në akademinë e partisë, ÖVP, jo fort larg nga apartamenti i tij.
Pa ofruar fakte, Kurzi foli për një rrjet “të kuq” të prokurorëve shtetërorë brenda WKStA-së. Akuzat u publikuan në media dhe kanë peshuar rëndë qëkur nisën lidhjet mes hetuesve antikorrupsion dhe kampit qeveritar. Të martën, aleati i Kurzit, Andreas Hanger, deputet i ÖVP-së, që nuk mërzitet t’i përlyejë duart për përfitime të veta, foli publikisht për “një krah të majtë brenda WKStA-së”, dhe për një tentim të njerëzve që të marrin kontrollin e shtetit.
Në fakt, hetuesit e WTStA-s edhe në të kaluarën kanë hetuar politikanët e SPÖ-s, dhe konservatorët që kishin fjalën e fundit në Ministrinë e Drejtësisë, fakt që flet kundër idesë për konspiracion të të majtëve. 40 hetuesit e agjencisë kanë marrë vëmendje në shkallë të madhe, shenjë se shoqëria është shumë e ndarë kur bëhet fjalë për vlerësimin e tyre rreth Kurzit.
Përkundër këtyre ndasive në shoqëri, mbetet të shihet nëse do të dobësojnë fuqinë e Kurzit brenda ÖVP-së. Nuk ka dhënë dorëheqje nga pozita si kryetar partie, që do të thotë se ai do të vazhdojë kontrollin ndaj ministrave besnikë ndaj tij. Gazeta “Der Standard” ka shkruar se ai është “mjeshtër i situatave politike”.
Ndoshta, tani për tani. Por, është në një territor të panjohur. Për herë të parë pas një kohe të gjatë, ai nuk ka në kontroll fatin e tij politik.
Përktheu: Gent Mehmeti
(Fund)
Pjesa e parë:
Bomba politike që papritmas e rrëzoi Kurzin
Pjesa e dytë: