Botë

Kryemjeshtri i ngritjes së Kurzit

Descriptive Text

Në fillim i ngritur në qiell si politikan model, Sebastian Kurzi dha dorëheqje në fundjavë pas hetimeve për përfshirje në një aferë korrupsioni. Dokumentet nga hetimi tregojnë se kishte një sistem alla-mafioz, që përfshinte liderë politikë dhe kurdisje mediatike për vite me radhë, shkruan gjermania “Der Spiegel” në shkrimin e gjatë, në të cilin sjell edhe biseda e mesazhe telefonike të politikanëve të përfshirë në skandal. “Koha Ditore” sjell sot pjesën e dytë të hulumtimit të gjatë

Në vitin 2019, kur Sebastian Kurzi siguroi fitoren e dytë dhe vendimtare pas të parës në vitin 2017, gazeta “The New York Times” e cilësoi atë si “konservatori i ri e suksese të mëdha”.

Në mediat gjermane, përfshirë “Der Spiegelin”, hapat e Kurzit drejt ngjitjes janë përcjellë me përzierje mes fascionimit dhe skepticizmit. Në moshën 24-vjeçare Kurzi veçse ishte sekretar shteti, me 27 vjet ishte ministër i Jashtëm – dhe pastaj në moshën 31-vjeçare u bë kancelar. Konservatori austriak zgjoi një dëshirë të madhe edhe te fqinja, Gjermania.

Vetëm dy javë më parë Tilman Kuban, lideri i krahut të të rinjve kristian-demokrat, ka thënë: “Na duhet një Sebastian Kurz gjerman”. Dhe në këtë ndjenjë nuk është i vetëm.

Krahu konservator i CDU-së ka lidhje të forta me Vjenën. Ministri i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn, ishte në Vjenë gjatë vitit 2017 për të festuar fitoren e parë të Kurzit. Tabloidi gjerman “Bild” kënaqej me kancelarin e ri austriak.

Ajo që për një kohë të gjatë nuk u mor vesh, ishte se karriera e pabesueshme e një funksionari riosh të partisë, që la studimet universitare për politikën, u bë nën një skenar që prej fillimit, shkruan “Der Spiegeli”. Njëri prej përgjegjësve për këtë skenar është strategu i tij, Stefan Steiner, pjesë e të dyshuarve në aferën e korrupsionit.

Steineri ishte i pranishëm në atë që erdhi për t’u menduar si momenti i lindjes së “Sistemit Kurz”. Më 18 prill të vitit 2011, në katin e tretë të objektit të partisë ÖVP në Vjenë, këshilltarët u mblodhën deri në orët e hershme të mëngjesit për të diskutuar se si të bëhej gati konservatori i ri Kurz për pozitën e re si sekretar shtetëror për integrim. Pika kryesore e tyre ishte potenciali i tij drejt pushtetit. Shumë prej atyre që ishin prezentë në atë takim vazhdojnë të jenë pjesë e grupit të mbyllur hermetikisht që parim më të rëndësishëm e kanë besnikërinë për liderin Kurz. Më shumë i ngjan një komuniteti fetar sesa një grupi të kolegëve – ekip i konspiracioneve që së fundmi u bë e qartë se në mendje kishin pushtetin sesa kontrollin.

Lista me hapa të saktë

Stefan “truri” Steiner, 43-vjeçar, doktor i juridikut, i cili u rrit në Stamboll, konsiderohet si lider i grupit. Si konservator dhe burrë me rend dhe ligj, Steineri e këshillon Kurzin në të gjitha çështjet strategjike. WKSTA-ja e akuzoi për “përdorimin e rezultateve të sondazhit dhe publikimin ekskluziv për qëllimet e partisë politike”.

Steineri është përgjegjësi për krijimin e kryemjeshtrisë që Kurzi të marrë drejtimet e partisë dhe qeverisë. Dokumenti, më herët i quajtur “Project Ballhausplatz”, në bazë të sheshit të Vjenës në të cilin ndodhet Kancelaria – është listë e saktë e hapave që duhet bëjë Kurzi për të arritur majën e politikës austriake. “Der Spiegel” dhe “Der Standard” e kanë siguruar këtë dokument.

Në të përshkruhen hapat që duhen ndjekur për të rrëzuar liderin e pafat të ÖVP-së, Reinhold Mitterlehner nga pushteti dhe pastaj t’i jepet fund koalicionit qeverisës mes ÖVP-së dhe Partisë Socialdemokrate të Austrisë (SPÖ). Krejt këto, duhet theksuar, ndodhën para rënies së Mitterlehnerit.

“Project Ballahausplatz” është mjeshtri për vendosjen e Kurzit në Kancelari. Gjatë javës së kaluar elemente të saj u gjetën në bastisjen kundër Kurzit.

Aspekt kyç i planit të lojës së luajtur nga Kurzi dhe strategët e tij ishte bindja se do të ishin në gjendje ta ndryshonin ÖVP-në aq shumë sa do ta shisnin partinë si “forcë kundër-establishmentit” – ani pse ÖVP-ja ishte pjesë e qeverisë austriake për tridhjetë vjet. Në këtë dokument thuhet se ekipi i ardhshëm përgjegjës do të duhej të bashkëpunojë me këshilltarët e rinj në krahun e Kurzit. Në disa pjesë nuk ka asgjë më shumë se koleksione të frazave politike: “Është nevoja, thuhet në dokument, për çështjet e FPÖ-së, por me përqendrim në të ardhmen”, që është përshkrim i qartë i kredos së Kurzit. Gjithashtu flet për uljen e numrit të azilkërkuesve të pranuar dhe të kopjojë Zvicrën në këtë çështje. Dokumenti lexohet si plan i qëndrimit përfundimtar të Kurzit si kancelar. Në këtë dokument janë përfshirë edhe kritikat e doktorit të tij të shpinës, Gerald Fleischmann, për debatet e mundshme televizive. “Unë nuk kam qenë kancelar. Ti po. Dhe ke dështuar”.

Pikat kyç të bisedave lexohen gati si poema: “Fuqia është e nevojshme për të ndier/ Do na duhet kurajë dhe fuqi/ Austria më nuk është ishull i bekuar/ Kërcënimet po rriten/ Terrori dhe islamizmi, presioni i emigrantëve, konfliktet e dhunshme”. Gjithashtu përfshihet edhe ajo që lexohet si skicë e skandalit aktual: “Realizoni një sondazh”. “Gjithçka në rregull me S.K.” (referencë për Sebastian Kurzin). “Bëni një porosi për reklama”.

Në atë kohë ÖVP-ja, që kishte humbur rrugën si në aspektin e personelit dhe të politikave, në sondazhe ishte shumë prapa partisë populiste të krahut të djathtë FPÖ dhe SPÖ-s. Deri në këtë kohë Kurzi ishte emëruar ministër i Jashtëm dhe po priste për mundësinë e tij, por kishte mungesë të fondeve dhe përkrahjes brenda partisë për të rrezikuar një kryengritje kundër Mitterlehnerit, shef i partisë dhe zëvendëskancelar. Kështu i shpik “Beinschab Österreich Tool” – levë për të vendosur Kurzin, princin e kurorës, në fron, sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo do të bëhej me ndihmën e hulumtueses së opinionit publik Sabine Beinschab dhe grupit të mediave “Österreich”.

“Sondazh i mirë, sondazh i mirë”, kishte shkruar ministri i Jashtëm në një mesazh në dhjetorin e vitit 2016, kur Beinschab i raportoi për përkrahje të ulët rekorde prej 18 për qind për ÖVP-në. Ani pse lëvdata mund të tingëllojë absurde, ishte fiks ajo që Kurzi kishte nevojë. Vetëm pesë muaj më vonë Mitterlehner u dorëhoq – dhe brenda një kohe të shkurtër Kurzi ishte në gjendje të festonte ngritjen e vet në krye të partisë në Linz para 1 mijë anëtarëve partiakë dhe gjashtë ish-liderëve të ÖVP-së.

Image

Abnormalitetet në sondazhe

Sondazhet e publikuara nga Österreich, që fillimisht tregonin rënien në greminë të ÖVP-së, vetëm për t’u ngritur pasi Kurzi mori drejtimin e partisë, ishin pjesërisht të manipuluara, thonë tani hetuesit. Një hetim i të dhënave nga “Der Standard” tregon për disa abnormalitete: Pasi ishte paguar kompania për sondazhe, përkrahja për ÖVP-në ishte diku rreth 18-për qind, vetëm për ta bërë ngritjen e madhe në 33 për qind pasi Kurzi mori drejtimin e partisë. Rezultatet janë në kufijtë ekstrem të intervalit të luhatjeve.

Strategjia e Kurzit doli e suksesshme. Në messhtator 2017, i ulur në ulësen e klasës ekonomike në fluturimin nga Vjena për në Nju-Jork për një takim të Asamblesë së Përgjithshme të Komeve të Bashkuara, ai ishte i mbushur me optimizëm. Sondazhet e opinionit publik tregonin për një epërsi të tij. A do ta mendonte formimin e një koalicioni me të djathtët e FPÖ-s? “E dini” u përgjigj Kurzi, “e djathta dhe e majta janë kategori të shekullit të kaluar”.

Tre muaj më vonë Kurzi mori Kancelarinë si lider i koalicionit me FPÖ-në e Straches – partia që sipas “Project Ballhausplatz” ishte cak i absorbimit në ÖVP.

“Stili i ri” që Kurzi kishte premtuar në fushatë do të thoshte refuzim i kronizmit dhe ndikimit që e kishte përcaktuar Austrinë, Peizazhi politik i vendit, siç tha presidenti i atëhershëm Rudolf Kirschschläger në vitin 1980, “ishte i mbushur me “këneta dhe fusha të tharta”. Sebastian Kurzi dhe ekipi i tij nuk shpikën praktikën e shpërndarjes së pozitave për aleatët e partisë. Ata thjesht mbajtën sistemin e testuar dhe e përmirësuan duke u siguruar se të gjitha fitimet financiare dhe të tjera nuk do të ishin fitimprurëse për partinë, por për një person të vetëm: Sebastian Kurzin.

Kjo është gjithashtu e vërtetë për korrupsion e dyshim të reklamave që janë kyç në rastin e tanishëm. Praktika nuk është gjë e re në Austri, por madhësia e përshkruar nga hetuesit tejkalon çdo gjë të zbuluar deri më tani.

“Blerja e reklamave filloi në fund të viteve ’90 gjatë mandatit të kancelarit socialdemokrat, Viktor Klia”, thotë politikologu dhe aktivisti kundërkorrupsionit Hubert Sickinger. Ai thotë se praktikën e blerjes së reklamave e vazhdoi kancelari Wolfgang Schüssel i ÖVP-së. “Edhe gjatë koalicionit të madh financimi jozyrtar i mediave mori përmasa, por u rrit edhe më keq me Sebastian Kurzin.

(Vijon)

Përktheu: Gent Mehmeti