Botë

“Nobeli” për Paqe, gazetarëve që u ngritën kundër Putinit e Dutertes

Gazetarja filipinase Maria Ressa dhe ai nga Rusia, Dmitry Muratov, janë vlerësuar “për luftën e tyre të guximshme për lirinë e shprehjes” në vendet e tyre, ka thënë Berit Reiss-Andersen, shefe e Komitetit norvegjez të Nobelit. “... ata janë përfaqësuesit e të gjithë gazetarëve që ngrihen për këtë ideal në një botë, në të cilën demokracia dhe liria e shtypit ballafaqohen me kushte përherë më armiqësore”

(Reuters) Gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov, të cilët e mblodhën guximin t’i zemërojnë liderët në Filipine dhe Rusi me ekspozimin e korrupsionit dhe keqqeverisjes, kanë fituar të premten çmimin “Nobel” për Paqe, në një vlerësim për fjalën e lirë, të rrezikuar kudo në botë.

Të dy janë vlerësuar “për luftën e tyre të guximshme për lirinë e shprehjes” në vendet e tyre, ka thënë Berit Reiss-Andersen, shefe e Komitetit norvegjez të Nobelit, gjatë një konference për media. “Në të njëjtën kohë, ata janë përfaqësuesit e të gjithë gazetarëve që ngrihen për këtë ideal në një botë, në të cilën demokracia dhe liria e shtypit ballafaqohen me kushte përherë më armiqësore”, ka shtuar ajo. “Gazetaria e lirë, e pavarur dhe e bazuar në fakte shërben si mbrojtje kundër abuzimit me pushtetin, gënjeshtrave dhe propagandës së luftës”.

Muratovi ua dedikoi shpërblimin gjashtë kontribuuesve në gazetën e tij “Novaya Gazeta”, të cilët ishin vrarë për punën e kryer në ekspozimin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe korrupsionit.

“Igor Domnikov, Yuri Shchekochikhin, Anna Politkovskaya, Stas Markelov, Anastasia Baburova, Natasha Estemirova – këta janë njerëzit që sot e kanë fituar Nobelin për Paqe”, ka thënë Muratov, duke i numëruar emrat e gazetarëve dhe aktivistëve të vrarë, portretet e të cilëve i ka varur në muret e selisë së gazetës në Moskë.

Në një intervistë për Reutersin nga Manila, gazetarja filipinase Ressa e quajti çmimin “një mirënjohje globale për rolin e gazetarëve në riparimin dhe rregullimin e botës sonë të prishur”.

“Kurrë më shumë se sot nuk ka qenë e vështirë të jesh gazetar”, ka thënë Ressa, veterane 35-vjeçare e gazetarisë, e cila ka thënë se përgjatë vjetëve është sprovuar me raste ligjore të ngritura nga autoritetet filipinase për punën e saj në ueb-faqen hulumtuese “Rappler”.

“Përnjëmend nuk e dini se kush jeni përderisa nuk shtrëngoheni që të luftoni për të”.

Çmimi i parë për gazetarë në 86 vjet

“Nobeli” i sivjetmë për Paqe është i pari i tillë që u ndahet gazetarëve qëkur gjermani Carl von Ossietzky u nderua me këtë çmim më 1935 për zbardhjen e programit sekret të riarmatimit në vendin e tij.

Muratovi (59) është i pari rus që e fiton çmimin për paqe që pas liderit sovjetik, Mikhail Gorbachev, më 1990. Vetë Gorbachevi është ndërlidhur kaherë me gazetën e Muratovit, meqë i kishte kontribuar asaj me një pjesë të parave të fituara nga çmimi “Nobel” me qëllimin për ta ndihmuar lirinë e shprehjes në ditët e hershme të rënies së Bashkimit Sovjetik.

Ressa (58) është fituesja e parë e çmimit “Nobel”, në cilëndo fushë, nga Filipinet. “Rappler”, të cilën ajo e bashkëthemeloi më 2012, ka fituar rëndësi nëpërmjet raportimit hulumtues, përfshirë edhe për shkallën masive të vrasjeve gjatë fushatës policore kundër drogës. Në gusht, një gjykatë në Filipine kishte rrëzuar një rast civil kundër Ressas, si pjesë e disa padive të ngritura kundër gazetares që thotë të ishte shënjestruar shkaku i raporteve në portalin e saj që lidhen me presidentin Rodrigo Duterte. Ajo ishte njëra prej shtatë gazetarëve që revista Time i kishte shpallur për Personin e Vitit 2018, lidhur me luftimin e frikësimit.

Në Rusi, gazetarët e kanë vlerësuar çmimin ndarë Muratovit në një kohë kur ushtrimi i profesionit të gazetarit është përballur me një mjedis përherë e më të vështirë pune viteve të fundit, teksa shumë prej tyre janë shtrënguar që të regjistrohen si agjentë të shteteve të huaja.

Disa prej gazetarëve që kanë punuar për “Novaya Gazeta” të Muratovit ishin mes kritikëve më të zëshëm të Putinit dhe që janë vrarë gjatë dy dekadave të fundit.

“Do ta shfrytëzojmë këtë çmim në interesin e gazetarisë ruse, të cilën (autoritetet) tani po mundohen që ta shtypin”, ka thënë Muratovi për Podyom, një ueb faqe ruse e lajmeve. “Do të mundohemi që t’i ndihmojmë njerëzit të cilët janë cilësuar si agjentë, që tani trajtohen si pisllëqe dhe po dëbohen prej vendit”.

“Mesazh për rëndësinë e gazetarisë rigoroze”

Reiss-Andersen ka thënë se Komiteti i Nobelit synoi që me këtë çmim ta përçojë mesazhin e rëndësisë së gazetarisë rigoroze në kohën kur teknologjia e ka bërë më të lehtë se kurrë përhapjen e të pavërtetave.

“Shohim se njerëzit po manipulohen me anë të shtypit, dhe...gazetaria e cilësisë së lartë dhe e bazuar në fakte është në fakt përherë e më e kufizuar”, ka thënë ajo për Reutersin.

Ishte kjo, gjithashtu, një mënyrë për t’i vënë dritë situatës së vështirë të gazetarëve, sidomos të atyre nën regjimin në Rusi dhe Filipine, ka shtuar ajo.

“Nuk kam ndonjë depërtim në mendjet, as të Dutertes, e as të Putinit. Por, ajo që ata do të zbulojnë është se vëmendja është kthyer kah vendet e tyre dhe se do të duhet që ta mbrojnë situatën aktuale, andaj jam kureshtare të shoh se si do të përgjigjen”, ka theksuar Reiss-Andersen për Reutersin.

Kremlini e ka uruar menjëherë Muratovin.

“Ai vazhdimisht punon në përputhje me idealet e tij, është i përkushtuar për to, është i talentuar, është i guximshëm”, ka thënë zëdhënësi Dmitry Peskov.

Çmimi “Nobel” për Paqe do t’u prezantohet laureatëve më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez, Alfred Nobel, themelues i çmimeve më 1895.