Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Në një Rusi “gojëkyçur”, ai ende e thotë lirshëm mendimin e tij

Rusia -

Foto: New York Times

Ndërsa qindra gazetarë të tjerë u larguan në mërgim pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në vitin 2022, laureati i Çmimit Nobel për Paqen, Dmitri A. Muratov, qëndroi. Por ai nuk qëndroi në heshtje. Në një klimë gjithnjë e më të ashpër ndaj fjalës së lirë, ai vazhdoi të flasë hapur, duke sfiduar presionin dhe rrezikun. Zëri i tij mbetet një nga të paktët që kundërshton narrativën zyrtare brenda vendit. Përmes qëndrimit të tij, ai simbolizon rezistencën e gazetarisë së pavarur në një realitet të kufizuar.

Gjërat që Dmitri A. Muratov thotë nga studioja e gazetës së tij në Moskë do t’i kushtonin shumicës së rusëve vite burgimi.

Në video të publikuara në YouTube, ai ka folur për “vetëfashistizimin” e vendit të tij. Ndërsa Rusia përqafon një ideologji militariste, ai ka thënë se torturimi i atyre që nuk i përmbahen botëkuptimit të Kremlinit është shndërruar në “një deklaratë dashurie për atdheun”, ndërsa vdekja si ushtar është bërë “më e rëndësishme se vetë jeta”. Ai ka kërkuar lirimin e të burgosurve politikë dhe i ka krahasuar kushtet në të cilat ata mbahen me ato të gulagëve (Gulagu ishte një rrjet i gjerë sovjetik kampesh pune të detyruar).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërsa qindra gazetarë të tjerë rusë u larguan në mërgim pas pushtimit të Ukrainës nga Kremlini në vitin 2022, Muratov qëndroi. Ai është një nga të paktët në vendin e tij që ende guxon t’i quajë gjërat me emrin e tyre, duke përdorur platformën e tij për të vepruar si një ndërgjegje publike.

Muratovit së bashku me të tjerë, iu nda Çmimi Nobel për Paqe në vitin 2021 për punën që “mbrojti lirinë e fjalës në Rusi në kushte gjithnjë e më sfiduese”. Ky çmim i ka dhënë atij një farë mbrojtjeje, por gjithashtu e ka bërë edhe shënjestër.

Në vitin 2022, sulmues hodhën bojë të kuqe dhe aceton në fytyrën e tij, në një sulm që agjencitë amerikane të inteligjencës përfunduan se ishte organizuar nga operativë të qeverisë ruse. Muratov iu nënshtrua katër operacioneve dhe tani ka nevojë për një lupë për të lexuar. Një vit më vonë, ai u shpall zyrtarisht “agjent i huaj”, gjë që teknikisht ia ndalon të ushtrojë profesionin e gazetarit.
Megjithatë, ai ka gjetur mënyra për të vazhduar gazetarinë. Ai vetë-publikon një revistë, duke shtypur jo më shumë se 999 kopje - të paktën zyrtarisht - çka e mban nën pragun ligjor të të qenit “media masive”. (Ai shpërndan gjithashtu edhe kopje digjitale.)

Gazetarët në mërgim

Muratov, 64 vjeç, tha se udhëhiqet nga bindja se, me institucionet që vetëm simulojnë demokracinë në Rusi, roli i medias është bërë edhe më i rëndësishëm.

“Media ka marrë funksionin e Parlamentit”, tha ai gjatë një interviste të fundit në zyrën e tij në Moskë. Ai përdori luftën si shembull:
“Tetëdhjetë për qind e rusëve janë në favor të një armëpushimi”, tha ai, duke dhënë një vlerësim për lodhjen në rritje nga lufta në Rusi, që tejkalon disi edhe rezultatet e një sondazhi të fundit. “Por në një Parlament me 450 deputetë, asnjë i vetëm nuk e përfaqëson këtë qëndrim. Kështu që sot ai shprehet përmes medias”.

Kur pranoi Nobelin në dhjetor 2021, Muratov mbajti një fjalim të ashpër kundër luftës, duke denoncuar “të fuqishmit” që “promovojnë në mënyrë aktive idenë e luftës” derisa ajo bëhet e pranueshme për popullin.

Kremlini fillimisht e përgëzoi për çmimin. Por disa ditë më vonë, presidenti Vladimir V. Putin paralajmëroi: “Nëse ai e përdor Çmimin Nobel si mburojë për të shkelur ligjin rus, atëherë do ta bëjë këtë qëllimisht për të tërhequr vëmendjen ndaj vetes”.

Në shkurt të vitit 2022, Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës. Brenda disa javësh, u bë krim të quaje atë që Kremlini e quan “operacion special ushtarak” një luftë, ose të shpërndaje informacione për luftimet që nuk vinin nga institucionet shtetërore. “Diskreditimi” i forcave të armatosura ruse dënohet me deri në 15 vjet burgim.

Më shumë se gjysma e kolegëve të Muratovit nga gazeta që ai ndihmoi të themelohej në vitin 1993, “Novaya Gazeta”, u larguan në mërgim. Ata krijuan një degë të re, “Novaya Gazeta Europe”, me bazë në Riga, Letoni.

“Ata punojnë atje pa lexues, por pa censurë”, tha ai për degën e re. “Ne punojmë këtu me censurë, por me lexues”.

Ndërsa “Novaya Gazeta” u detyrua të ndalonte veprimtarinë në Rusi, Muratov po bën gjithçka që mundet për të vazhduar botimin e punës së gazetarëve që kanë mbetur. 

Kur gazetari i NYT-it  vizitoi zyrat e gazetës, ai ia tregoi revistat që kishte botuar së fundmi, të cilat trajtonin tema si ukrainasit pro-Kremlinit që janë vendosur në Rusi, thellimin e censurës dhe përhapjen e fatalizmit në shoqëri.

“Kjo është samizdati ynë,” tha ai, duke iu referuar literaturës dhe lajmeve të ndaluara që dikur shtypeshin fshehurazi në kohën sovjetike dhe shpërndaheshin vetëm brenda rretheve të besuara.
Revista dikur quhej “Gorby”, sipas mikut dhe mbështetësit të gazetës, Mikhail S. Gorbachev, i cili vdiq në vitin 2022. Pasi u ndalua në shtator, Muratov filloi ta botonte me emrin Urbi et Orbi, një referencë ndaj bekimit papnor, që rastësisht rimon me emrin e vjetër. (“Urbi et Orbi” do të thotë “Për qytetin dhe botën”).

Muri i zyrës së Muratovit është i mbushur me kopertina që “Novaya Gazeta” do t’i kishte publikuar nëse do të lejohej ende të shtypej. Ai tregoi një nga të preferuarat e tij, me titullin “Hitleri nuk është në shtëpi”. Në të ishte një fotografi e korrespondentes amerikane të luftës, Lee Miller, duke u larë në vaskën e Hitlerit në apartamentin e tij në Mynih gjatë çlirimit të Gjermanisë në vitin 1945.
“Ne punojmë për paqen”, tha Muratov, duke dhënë një lloj deklarate misioni dhe duke përshkruar veprimtari për të cilat tha se do të fliste publikisht vetëm pas luftës. “Ne punojmë për shoqërinë civile ruse. Për ne, vlera më e lartë është jeta njerëzore. Ne po i rezistojmë fashizmit”.

Ndonjëherë, ndërsa fliste për funksionimin e gazetës, ai fliste me zë të ulët, duke treguar muret. Gazetarët që punojnë në Rusi nuk mund të jenë kurrë të sigurt se kush po dëgjon. Në një moment, ai e ndërpreu bisedën për të sugjeruar një pajisje praktike të Novaya Gazeta: një çantë Faraday, e cila bllokon sinjalet që lëshon telefoni dhe kështu pengon përgjuesit e mundshëm.

Sulmi ndaj Muratovit me bojë dhe aceton ndodhi në prill 2022, dy muaj pas fillimit të luftës. Ai po hipte në tren për në vendlindjen e tij, Samara, një qytet i madh në lumin Vollga, kur u sulmua. Sulmuesit bërtitën: “Muratov, kjo është për djemtë tanë”, një referencë e mundshme ndaj ushtrisë ruse. Sytë e tij u dogjën kimikisht.

Caktimi i tij si “agjent i huaj” në shtator 2023 i ndaloi të punonte si gazetar, pasi shteti e klasifikon gazetarinë si “veprimtari edukative”, dhe personat me këtë status nuk lejohen të kryejnë aktivitete të tilla.

“Unë nuk mund të punoj si mësues apo profesor në universitet, nuk mund të marr pjesë në anketa sociologjike”, tha ai. “Madje nuk mund të bëj një transferim bankar për një taksist, sepse duhet të marr pasaportën e tij dhe t’i dërgoj kopje Ministrisë së Drejtësisë, pasi ai ka marrë para nga unë.” Ai kishte ardhur në intervistë me biçikletë.

Tani Muratov po përballet me një hetim për ankandin e Çmimit të tij Nobel për Paqe. Ai u shit në qershor 2022 për 103.5 milionë dollarë. Ai i dhuroi të ardhurat UNICEF-it, i cili më pas shpërndau më shumë se 70 milionë dollarë për të ndihmuar fëmijët refugjatë nga Ukraina.

Një aktivist i njohur pro-Kremlinit e denoncoi atë tek autoritetet. Ata pretenduan se, pasi ai nuk e kishte mbajtur çmimin për të paktën dy vjet, duhet të paguante taksa rreth 16 milionë dollarë mbi të ardhurat. Çështja është ende nën hetim.

Vëmendja te të burgosurit politikë

Ndërsa fliste me gazetarin, Muratov ishte i prirë ta largonte vëmendjen nga vetja. Ai donte të fliste për të burgosurit politikë. Nxori një dosje të madhe kartoni me fotografi dhe vazhdoi të fliste me një ton të fuqishëm, të ashpër, të zemëruar dhe të dëshpëruar që përdor në videot e tij në YouTube.

Sipas organizatës për të drejtat e njeriut Memorial, e cila ndau Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2022, në Rusi ka rreth 1,475 të burgosur të tillë.

“Mendoj për këtë çdo ditë, çdo minutë”, tha ai. “Nuk fle dot”.

“Po mendoj vazhdimisht për Lyosha Gorinovin”, shtoi ai, duke përdorur një nofkë për politikanin opozitar Aleksei Gorinov, i cili u burgos për kundërshtimin e një konkursi vizatimesh për fëmijë, duke thënë se ishte i papërshtatshëm gjatë luftës në Ukrainë. Ai ka humbur një pjesë të mushkërisë dhe së fundmi është diagnostikuar me tuberkuloz.

“Po mendoj si është Zhenya Berkovich dhe sa peshon tani”, vazhdoi Muratov, duke iu referuar një dramaturge dhe poeteje të burgosur për një shfaqje që kishte ndihmuar të vihej në skenë kundër terrorizmit. Ai tregoi një fotografi të saj para arrestimit dhe një tjetër së fundmi, duke thënë se pesha e saj kishte rënë shumë.

Ai foli edhe për Nadezhda Buyanovan, një pediatre 69-vjeçare që po vuan një dënim prej pesë vjetësh e gjysmë burgim për kritika ndaj luftës në Ukrainë. Ai dënoi mizorinë e një “aktivisti patriotik” që i kishte dërguar 20 kilogramë kripë - pesha maksimale e pakove mujore - për ta privuar nga ushqimi dhe vitaminat.

Muratov tha se Perëndimi po shkel “të drejtat themelore, bazike të njeriut” të rusëve duke përqafuar një narrativë të fajit kolektiv, duke fajësuar të gjithë qytetarët për luftën, gjë që sipas tij përbën “fashizëm demokratik”.

Kjo është një nga arsyet pse ai nuk e konsideron më veten optimist.

“Shpresa lidhet gjithmonë me të ardhmen”, tha ai. “Unë nuk mendoj fare për të ardhmen. Duhet të bësh atë që mundesh tani për të ndihmuar njerëzit, të ndihmosh të burgosurit politikë, të bësh një paketë, të shkruash një letër, të nxjerrësh një numër të gazetës, të mbështesësh lexuesit”.
“Ne nuk planifikojmë asgjë më shumë se një ditë përpara”.