Botë

Gjermanët i druajnë të ardhmes pa Merkelin

Një javë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, gjermanët janë të pavendosur se kënd e duan për pasardhës të kancelares Angela Merkel. Përtej problemeve botërore, shumica e gjermanëve duan rimëkëmbjen ekonomike pasi janë goditur rëndë nga pandemia dhe fatkeqësia e përmbytjeve

Vendimi i kancelares gjermane, Angela Merkel, që të mos vazhdonte qëndrimin në pushtet, pas 16 vjetësh në Zyrën më të fuqishme të Gjermanisë, ka lënë gjermanët të pavendosur para zgjedhjeve parlamentare të 26 shtatorit.

Pronari i një mulliri dëshiron që qeveria e ardhshme ta forcojë rrjetin e furnizimit të dëmtuar nga pandemia, një birrari në jug të Gjermanisë dëshiron strategji më të mirë ndaj pandemisë dhe rrjet të përmirësuar të telefonave.

Problemet, si ndryshimet klimatike dhe ekonomia, për votuesit janë të rëndësishme, por shumë të tjerë kanë prioritete lokale dhe personale.

Për shkak të paqartësisë dhe dëmit të madh të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, pronarët e bizneseve të vogla shpresojnë se lideri i ri do të shmangë përsëritjen e izolimeve që pamundësuan biznesin në 18 muajt e fundit.

Gjermanët janë fort të interesuar të dinë se si kancelari i ri do të ndihmojë në rindërtimin e zonave të goditura nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.

Mirëpo, është edhe një punë e papërfunduar e Merkelit, përmirësimi i internetit në Gjermani, shërbimi i telefonive dhe reduktimi i procedurave burokratike.

Në mullirin Kanow në Golssenin rural, shtet lindor i Bradenburgut, pronari Christian Berendt është mirënjohës për përkrahjen financiare nga shteti si pjesë e planeve për forcimin e bizneseve lokale. Por teksa thotë se ish-pjesa komuniste e Gjermanisë është zhvilluar mirë, është i mendimit se shteti ende ka nevojë për ndihmë.

Shpreson se qeveria e ardhshme do t’i lehtësojë problemet e shkaktuara nga pandemia.

“Në këtë periudhë, ose duhet të prisni goxha gjatë për dërgesën, ose duhet të paguani një çmim të lartë. Në të ardhmen shpresoj që qeveria të forcojë rrjetin e furnizimit që duhet t’i kthehet normalitetit”, ka theksuar Berendt.

Disa kilometra larg në jugperëndim në Salz të Bavarisë, pronari i birrarisë, Florian Rehbock është i shqetësuar për pandeminë. Shpreson që qeveria e re të zbusë humbjet që ua shkaktoi.

Për shkak të mbylljes së restoranteve dhe kafeneve që përbëjnë 85 për qind të biznesit të Rehbockut, birraria është detyruar të hedhë një sasi të konsiderueshme të birrës që e prodhonte çdo javë.

“Nuk kishte përkrahje për birrën që u shkatërrua, e cila u zhduk. Kjo është serioze për një kompani të vogël si e jona”, thekson ai.

Ai e ka edhe një tjetër problem, shkëputjen e telefonatave kur myshterinjtë bënin porositë.

“Jam në një zonë rurale. Nëse doni një internet të qëndrueshëm, këtu është problem. Gjëja tjetër që shpresoj të rregullohet është rrjeti telefonik, sepse nuk është ashtu siç pret”, ka thënë Rehbock. “Nëse jam në telefon me klientët, në mesin e telefonatës linja shkëputet shpesh. Kjo nuk është ajo çfarë pres nga një Gjermani që është në qendër të teknologjisë”.

Mesatarja ditore e të infektuarve me koronavirus është dyfishuar në dy javët e fundit, ndërkaq fushata e vaksinimit në Gjermani është ngadalësuar.

Mirëpo, Gjermania ka menaxhuar pandeminë më mirë sesa shtetet fqinje.

Të tre kandidatët për kancelar kanë thënë se izolimet e reja nuk do të jenë të nevojshme, të paktën kështu siç qëndrojnë gjërat.

Ndërkaq në qytetin Gemuend, në afërsi të kufirit me Belgjikën, Manfred Pesch thotë se nuk ka kohë të përqendrohet në çështjet shtetërore. Ende është duke e pastruar hotelin e tij që u përmbyt në muajin korrik si pasojë e të reshurave ekstreme.

“Në këto momente të jem i sinqertë, më e rëndësishme është t’i zgjidhim problemet tona këtu. Nuk kam kohë për probleme të tjera sepse vetë jam në vështirësi të mëdha”, thekson Pesch.

Parlamenti i Gjermanisë gjatë javës së kaluar miratoi pakon e rimëkëmbjes prej 30 miliardë eurove për zonat e goditura nga përmbytjet.

Mbikëqyrja e kësaj rimëkëmbjeje afatgjate do të jetë në përgjegjësinë e qeverisë së re gjermane.