Botë

Komisioni Evropian kërkon përmbajtje të palëve në Mal të Zi

Descriptive Text

Komisioni Evropian ka bërë thirrje për përmbajtje në Malin e Zi pas zhvillimeve të fundjavës në shtetin fqinj. Zëdhënësja Ana Pisenero ka thënë se Brukseli zyrtar pret nga autoritetet malazeze që të hetohen dhe zbardhen të gjitha rastet e përdorimit të dhunës kundër protestuesve dhe policëve gjatë protestave kundër shugurimit të Mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, Joanikije.

Komisioni Evropian kujton se liria e tubimit është e drejtë themelore e BE-së, por ka spikatur se duhet të zbatohet pa dëmtuar shëndetin publik dhe me respektim të plotë të sundimit të ligjit dhe sigurisë së gjithë qytetarëve të Malit të Zi.

Malaziasit janë shumë të ndarë në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe. Më shumë se 30 për qind e popullsisë në Mal të Zi deklarohen serbë. Që prej shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi nga Serbia më 2006 malaziasit pro-pavarësisë kanë bërë thirrje për formimin e një Kishe Ortodokse të ndarë nga ajo serbe.

Kisha Ortodokse Serbe luajti rol vendimtar në protestat e vitit të kaluar që ndihmuan rrëzimin nga pushteti të qeverisë pro-Perëndimit në Malin e Zi. Qeveria e re malaziase tani ka në përbërje parti që përkrahin Serbinë dhe Rusinë. \AP