Shefi i Agjencisë së Inteligjencës së SHBA-së (CIA) është takuar të hënën në Kabul me liderin e talebanëve të hënën, kanë njoftuar burime për mediumet amerikane.
Lajmi nuk është konfirmuar as nga talebanët e as nga CIA, për takimin mes William Burnsit dhe Mullah Baradarit.
Presidenti i SHBA-së, Joe Bidn, e ka vendosur datën 31 gusht si afatin përfundimtar për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani. Aleatët – përfshirë edhe Britaninë e Madhe – duan të zgjatet ky afat.
Forcat amerikane janë në Afganistan që nga viti 2001, pas sulmeve të 11 shtatorit.
Burime për mediumet amerikane, përfshirë New York Timesin, Washington Postin e agjencinë Associated Press, kanë njoftuar për takimin mes CIA-s dhe talebanëve.
Por, janë dhënë shumë pak detaje.
Nëse konfirmohet, ky është takimi i nivelit më të lartë mes SHBA-së dhe talebanëve që kur militantët morën Kabulin më 15 gusht.
Rreth 5800 trupa amerikanë janë duke garantuar për sigurinë në aeroportin e Kabulit, ndërsa mijëra shtetas të huajë dhe afganë po tentojnë të largohen nga vendi.
Washington Post thotë se në diskutime me gjasë është folur për afatin përfundimtar për largimin e forcave amerikane.
Të martën, talebanët kanë thënë se nuk do të lejohen që afganë tjerë të largohen nga shteti, e as nuk do të zgjatet afati i tërheqjes së trupave amerikanë.
Mullah Baradar është një nga katër burrat që kanë themeluar Talebanin në vitin 1994. Ai u arrestua në një operacion të përbashkët SHBA-Pakistan në vitin 2010 dhe kaloi tetë vjet në burg.