Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja mban bisedime “të sinqerta dhe profesionale” me talebanët

Washington, 11 tetor - Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se takimi i parë i bisedimeve kokë më kokë ndërmjet zyrtarëve të lartë amerikanë dhe përfaqësuesve talebanë prejse grupi radikal mori kontrollin e Afganistanit, ishte “i sinqertë dhe profesional”.

Pala amerikane ka ngulmuar edhe njëherë se talebanët do të gjykohen prej veprimeve e jo prej fjalëve të dhëna për mënyrën e qeverisjes së vendit pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në fund të gushtit, pothuajse njëzetë vjet pas rrëzimit të talebanëve.

Zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se delegacioni amerikan në bisedimet e fundjavës në Doha në Katar u përqendrua në shqetësimet e lidhura me sigurinë dhe terrorizmin, si dhe me kalimin e sigurt të shtetasve amerikanë, qytetarëve të huaj dhe afganëve. Ata kanë diskutuar edhe për shqetësimet e ngritura për shkelje të të drejtave të njeriut, sidomos për të drejtat e grave afgane.

Ai ka theksuar se palët diskutuan edhe për mundësinë e ofrimit të ndihmës amerikane “ që do të shkonte drejtpërdrejt te populli afgan”.

“Diskutimet ishin të sinqerta dhe profesionale me delegacionin amerikan që kujtoi se talebanët do të gjykohen nga veprimet e tyre e jo prej fjalëve”, ka deklaruar Price.

Ai nuk ka konfirmuar nëse është arritur ndonjë marrëveshje.

Ministria e Jashtme në Kabul ka thënë se takimi dyditor ka shkuar shumë mirë. Ka mirëpritur ofertën amerikane të ndihmës humanitare dhe ka thënë se autoritetet lokale do të lehtësojnë dhe bashkëpunojnë me grupet e ndihmës me qëllim që ndihma “të mos lidhet me çështje politike”.

“Diskutimet e hollësishme janë mbajtur gjatë takimit për të gjitha çështjet relevante. Dhe përpjekjet duhet të zgjerohen në kthim të marrëdhënieve diplomatike në një nivel më të mirë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme, të udhëhequr nga talebanët. Është bërë e ditur gjithashtu se do të ketë edhe takime të tjera ndërmjet palëve.

Televizioni me seli në Katar, “Al-Jazeera”, raportoi në fundjavë se ministri i jashtëm në detyrë i Afganistanit të ketë thënë se përfaqësuesit talebanë kanë kërkuar nga pala amerikane që të tërheqin sanksionet ndaj rezervave të bankës qendrore afgane.

Njoftoi se ministri Amir Khan Muttaqi të ketë thënë se Washingtoni do të ofrojë vaksina kundër koronavirusit për afganët dhe se të dyja palët diskutuan për “hapjen e një kapitulli të ri” ndërmjet dy vendeve.

Zyrtarët e administratës së Bidenit i kanë thënë “Reutersit” se delegacioni amerikan do t’u kërkojë talebanëve që të lirojnë amerikanin e rrëmbyer, Mark Freirichs. Një tjetër kërkesë do të ishte ajo që talebanët të mos lejojnë që Afganistani të kthehet përsëri në vatër të sigurt për terroristët e “Al-Qaedas” dhe grupeve tjera ekstremiste.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë në fundjavë se takimi ishte vazhdim i “angazhimeve pragmatike” me talebanët dhe “jo për t’i njohur ose dhënë legjitimitet” grupit.

Artikuj të ngjashëm