Rrëshqitjet e dheut kanë kapluar të mërkurën veturat që qarkullonin në një autostradë buzë zonave kodrinore në veri të Indisë, duke ngujuar të paktën 50 persona, raporton AP. Një autobus, një kamion dhe disa vetura kanë mbetur nën shtresa të dendura balte dhe gurësh, pas rrëshqitjes së dheut në shtetin Himachal Pradesh, ka njoftuar policia kufitare e vendit.
Administratori i distriktit, Abid Hussain Sadiq, ka thënë se mbi 50 persona druhet se janë ngujuar teksa shtatë janë shpëtuar dhe janë dërguar në spital. Të reshurat e furishme të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të dheut në disa pjesë të shtetit gjatë javëve të fundit. Katastrofat e shkaktuara nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet janë të shpeshta në Indi gjatë muajve qershor-shtator.