Botë

Vuçiq: “Open Ballkan” hap historik për rajonin

Presidenti i Serbisë, në një tekst autorial për gazetën “Politika”, ka thënë se “Open Ballkan” është një hap historik për rajonin.

Vuçiq ka thënë se kjo paraqet një mundësi të madhe, por edhe shpresë, përgjegjësi e detyrim për të krijuar një të ardhme më të mirë.

Vuçiq ka thënë se është hera e parë që dikush në Ballkan ka nisur diçka të mirë për gjithë rajonin. Marrëveshjet në Novi Sad dhe Shkup i ka cilësuar historike.

“Serbia është në rrugën evropiane, ka përparuar në gjitha sferat e jetës sociale, veçanërisht në ekonomi, por Serbia duhet të kuptojë nevojat dhe qëllimet e Bashkimit Evropian, dhe të mos humbasë kohë duke ëndërruar ëndrra realizimi i të cilave nuk varet vetëm nga ne. Në të njëjtën kohë, në Serbi, ne duhet të kuptojmë se gjërat po ndryshojnë, se po ndryshojnë edhe marrëdhëniet në rajon, dhe se urrejtja, më shpesh ndaj shqiptarëve, nuk na sjellë asgjë. Përkundrazi. Ne duhet të hapemi, të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, të përqafojmë çdo mundësi për rritje ekonomike, për lidhje infrastrukturore dhe shkëmbim idesë. Për këtë arsye projekti “Open Ballkan” paraqet një mundësi të madhe, por edhe shpresë, përgjegjësi e obligim për të krijuar një të ardhme më të mirë dhe ndryshe, pa pritur ndonjë gjë që të bie nga qielli, për dikë që të na sjellë dhurata që do t’i paguajmë më tepër se që kanë vlerë”, ka shkruar Vuçiq, duke thënë se bota e mendon Ballkanin si vend me luftëra e gjakderdhje, dhe ndonëse është ashtu, prapë historia e Ballkanit nuk është as afër asaj të Bashkimit Evropian. “Është hera e parë që dikush në Ballkan ka nisur diçka të mirë për gjithë rajonin. Dhe për këtë arsye marrëveshjet në Novi Sad dhe ato në Shkup janë historike, dhe rezultatet do të jenë historike”.

Iniciativa që deri këtë javë njihej si Mini-Schengen ka marrë tash emrin “Open Ballkan”. Kjo u vendos të enjten në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që u mbajt në Shkup, e ku morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vu[iq e kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Në fund të Forumit mes tri vendeve u nënshkrua një marrëveshje e dy memorandume.

I pari ka të bëjë me lehtësimin e importit e të eksportit, pastaj për eliminim të barrierave në kufij, për bashkëpunim të përmirësuar ekonomik.

Memorandumi tjetër ka të bëjë me tregun e fuqisë së punës, se si të lehtësohet qarkullimi i njerëzve, të lehtësohet procesi i dhënies së lejeve të punës për qëndrim të përkohshëm.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë se vendet nuk duhet të mbesin peng i së kaluarës.

Në këtë forum nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nga Qeveria e Kosovës është thënë se janë kundër kësaj lëvizje.