4 perditesime
12:26

Rama, Vuçiq e Zaev nënshkruajnë marrëveshjet për bashkëpunim rajonal

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nënshkruar në fund të Forumit për Bashkëpunim Ekonim Rajonal, një marrëveshje e dy memorandume. 

Marrëveshja e ka të bëjë me rastet e katastrofave natyrore për gatishmëri për të mbështetur shtetet, për ndihmë të ndërsjellët.

Janë nënshkruar edhe dy memorandume mirëkutpimi. I pari ka të bëjë me lehtësimin e importit e të eksportit, pastaj për eliminim të barrierave në kufij, për bashkëpunim të përmirësuar ekonomik.

Memorandumi tjetër ka të bëjë me tregun e fuqisë së punës, se si të lehtësohet qarkullimi i njerëzve, të lehtësohet procesi i dhënies së lejeve të punës për qëndrim të përkohshëm.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë se vendet nuk duhet të mbesin peng i së kaluarës.

Në këtë forum nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nga Qeveria e Kosovës është thënë se janë kundër kësaj lëvizje. 

Pas përfundimit të Forumit Ekonomik rajonal në Shkup, kryeministri Zoran Zaev, Edi Rama dhe presidenti Aleksandar Vuqiç pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve kanë shpallur zyrtarisht emërimin e iniciativës për bashkëpunim të mes vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Iniciativa që deri tani tani njihej si “Mini-Schengen”, tashmë është emëruar “Open Balkan”, respektivisht “Ballkani i hapur”.

 

11:25

Rama: Nuk mund të mbetemi peng i së shkuarës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po zhvillohet në Shkup, tha se rajoni nuk mund të mbetet peng i së shkuarës.

Në këtë Forum po marrin pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe 300 përfaqësues të bizneseve nga vendet e rajonit.

“Shpresoj që këtë herë përkthimi të mos jetë si herën tjetër që më shkatërroi komplet mesazhin, e uroj që sot të jetë një ditë e mirë për të gjithë ata që kanë ardhur, jo vetëm nga Shqipëria, e Serbia por edhe nga Mali i Zi, edhe nga Kosova, edhe nga Bosnja edhe nga Kroacia, edhe nga Sllovenia edhe nga Greqia. Mozaiku i pjesëmarrjes sot është përtej tre vendeve tona, dhe besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme. Sepse këtu janë të pranishëm njerëzit e sipërmarrjes, janë të pranishëm ata që krijojnë punë, krijojnë të ardhura dhe duan të shkojnë mëtutje. Është shumë e qartë që për të gjithë ata kjo nismë është gjëja e duhur, dhe jo vetëm është gjëja e duhur, por ndryshe nga çfarë predikojnë disa, është edhe e vonuar. Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i të shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar më shumë punë, për të hapur më shumë perspektivë me vende pune mirë të paguara sidomos për të rinjtë, është i dënuar të jetojë në të shkuarën. Ne nuk duam të jetojmë në të shkuarën. Duam të projektohemi në të ardhmen përmes një nisme e cila nuk shpik asgjë të re në fakt, por thjeshtë sjellë në këtë rajon një shembull kuptimplotë që është shembulli i BE-së. Duke synuar jetësimin e 4 lirive themelore të BE-së. Lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, të kapitaleve të lëvizjes së shërbimeve. Për çfarë arsye në botë ne duhet të presim të mbyllur brenda kufijve tanë me kurriz nga njëri-tjetri, siç kemi ndenjur 500 vjet, ndërkohë që rrugëtimi i secilit vend drejt BE-së ka kohën, ritmin dhe kushtëzimin e vet, jo thjeshtë nga çfarë bëjmë ne, por nga çfarë mendojnë të tjerët”, tha Rama.

Ai ka thënë se edhe kur vendet të integrohen në Bashkimin Evropian do të veprojnë njëjtë, ndërsa ka thënë se me këtë nismë do të rritet prodhimi i vendeve. Rama ka thënë se nuk po bëjnë një karikaturë ballkanike të Bashkimit Evropian, ku ngre veto njëri se s’duhet takuar apo tjetri se s’duhet nënshkruar kjo marrëveshje.

“Sepse në fund të ditës, në momentin që ne integrohemi në BE, do të bëjmë ekzaktësisht këtë që po bëjmë sot pa Bashkimin Evropian. Pra, nesër si pjesë e Be-së nuk do të ketë më diskutime të mundshme nëse këto katër liri do të zbatohen këtu në rajonin tonë, është sa për të ardhur keq aq edhe për të qeshur kur dëgjon edhe evropianë në kryeqytete që pyesin me çudi po çfarë po bëni ju. Shih çfarë po bëjmë. Ne nuk mundet dot që të lexojmë shifra, fakte të vëna para syve tanë, jo nga ekspertët e qeverive tona, por nga organizmat financiare e ndërkombëtare, si shembull banka botërore, ku thuhet se nëse duam të rrisim prodhimin e përgjithshëm kombëtar ne mund ta rrisim atë deri në 2.5 për qind, vetëm nga integrimi ekonomik, ndërkohë që nëse ne arrijmë nivelin e marrëveshjes evropiane të tregtisë së lirë, prodhimi i ynë i përgjithshëm mund të shkojë 6.7 për qind në rritje. Pse duhet ne t’ia privojmë vetes këtë mundësi të jashtëzakonshme, duke ndenjur secili brenda hapësirës së vetë të vogël. Për më tepër sot, kur ne përballemi si gjithë tjerët, por në kushte tona me vështirësi ekstra për shkak të pasojave të pandemisë. Jo vetëm që ne nuk mund të asnjë mënyrë t’ia privojmë vetes këtë potencial që e ka rajoni, bashkëpunimi mes nesh, por duhet të bëjmë çmos që të vrapojmë për të fituar një kohë të humbur që është marramendëse. Nuk kemi ne pse presim që integrimin e rajonit nga pikëpamja e kaltër lirive të Evropës ta bëjmë pasi të hymë në BE. Duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë tani. Sa herë duhet ta përsërisim se kjo nuk është nisëm ekskluzive e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut, sa herë duhet ta përsërisim që është nismë e hapur për të gjithë. Sa herë duhet ta përsërisim se cilido që do të na bashkohet në këtë nisëm është i mirëpritur të na bashkohet. Por nuk mund të presim konsensus për t’u takuar nga të gjithë, këtë smund ta presim. Nuk kemi marrë përsipër të bëjmë një karikaturë ballkanike të Bashkimit Evropian këtu, që qohet njëri e thotë unë vë veton e ju s’duhet të takoheni. Apo tjetri unë vë veton e ju nuk duhet të nënshkruani këtë. Nuk e bëjmë dot këtë”, tha Rama.

Rama tha se kushdo që thotë se është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë, se Serbia do të na marrë gjithçka kemi, e para jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve.

“Kush që thotë se është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë, se Serbia do të na marrë gjithçka kemi, e para jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve. E treta, harron se po të nisemi kështu atëherë duhet të themi se edhe BE-ja është një Jugosllavi e madhe. Nëse Bashkimi Evropian është një Jugosllavi e madhe, po kjo është Jugosllavi e vogël. Por në fakt jo, kjo është as më shumë as më pak, por krijimi i një hapësire që jeton me parimet dhe vlerat dhe mekanizmat e BE-së, ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekje e tij për tu integruar në BE”, tha Rama. “Çështjet e pazgjidhura mes nesh nuk zgjidhen më kollaj duke hedhur poshtë dhe mohuar potencialet e bashkëpunimit. Sa më shumë potencial i këtij bashkëpunimi të kthehet në mirëqenie, në liri të lëvizjes, në perspektivë, aq më e mundur është që edhe çështjet e pazgjidhura të zgjidhen, sepse të gjitha shoqëritë kalojnë në një nivel tjetër të kuptimit të vetes, të njëri-tjetrit. Dua të rikonfirmojë se për ne, për Shqipërinë, kjo nismë është strategjike dhe do të vazhdojmë me këmbëngulje përpara. Objektivi që i kem dhënë vetes është që brenda vitit të ardhshëm i gjithë sistemi i qarkullimit jo vetëm të njerëzve, por edhe mallrave, kapitalit e shërbimeve të jetë i njehtësuar me BE-në”.

Ai ka thënë se si Kosova, ashtu edhe Mali i Zi e Bosnja duhet të jenë pjesë e kësaj iniciative.

“Nuk e kuptoj Malin e Zi për çfarë mendohet, po Bosnja për çfarë mendohet. E di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht në një qëndrim të kundërt, sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe të bëjnë maksimumin në këtë proces për vendin e tyre, njerëzit e tyre dhe për shoqëritë e tyre. Çdo ditë që ne fitojmë në këtë proces, është e fituar për të ardhmen”, tha Rama.

11:12

Entuziazmi i Vuçiqit me “Mini-Schengenin”: Më 1 janar 2023 i heqim kufijtë

Në Shkup po mbahet Forumi ekonomik mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë e Serbisë dhe entuziazmi i liderëve të këtyre vendeve është i madh.

Forumi po mbahet në kuadër të iniciativës për “Mini-Schengen”, që është refuzuar nga Kosova, e deri më tash edhe nga Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina.

Por, kjo zbehur entuziazmin e pjesëmarrësve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit të tij në Shkup, tha se nëse gjithçka shkon mirë, atëherë nga fillimi i vitit 2023, qytetarët e këtyre vendeve do të lëvizin lirshëm sikur të mos kishte kufij, kurse kamionët me mallra nuk do të presin në pikat kufitare.

“Nëse do të jemi në gjendje, më 1 janar 2023 ne nuk do të kemi kufij mes vendeve tona. Në fakt, do të kemi, por jo për qytetarët. Shkon nga Beogradi në Tiranë dhe askush nuk u ndalon dhe anasjelltas. Me këtë rrisim edhe sigurinë e qytetarëve tonë”, ka thënë Vuçiq, përcjellin mediat serbe të enjten.

Ai ka thënë se kjo që po bën Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria është gjë e madhe.

“Nëse ia dalim do të jetë sukses i madh”, shtoi ai.

Në Forumin ekonomik të Shkupit po marrin pjesë edhe shumë biznese nga këto vende, ndërkohë që sipas Vuçiqit, më së shumti ka nga Serbia – 217.

11:05

Zaev: Vonesat në zgjerimin dhe mosliberalizimi i vizave për Kosovën, kundër idesë së BE-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në Forumin Ekonomik në Shkup sot ka thënë se vonesat në zgjerimin e BE-së dhe mosliberalizimi i vizave për Kosovën është kundër idesë së vet Bashkimit Evropian.

Zaev ka thënë se qëllimi është të hiqen ndalesat në kufi mes Serbisë, Maqedonsië së Veriut dhe Shqipërisë, ndërsa shpreson që të bashkohen edhe në vende tjera, përfshirë Kosovën.

“Ne nuk mund të presim që të gjitha problemet e brendshme të Bashkimit Evropian të zgjidhen, që ne, qytetarët tani dhe ekonomia jonë të shkojë përpara. Mossuksesi i BE-së për të përmbushur premtimet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe hapjen e klasterëve të parë me Malin e Zi dhe Serbinë, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën , është kundër idesë së BE-së”, tha mes tjerash Zaev. Këtë që e ndërtojmë sot del nga vlerat evropiane për shkak se në vete në themelet e saj përmban të gjitha katër liritë e Bashkimit Evropia. Lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mirave, kapitalit dhe shërbimeve. Qëllimi përfundimtar është të arrijmë “no stop-just go”, të mos ketë ndalesa në kufijtë mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, dhe të shpresojmë edhe për vendet tjera.Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”. /Alsat

08:03

Sot mbahet Forumi ekonomik në Shkup pa Kosovën e shtete tjera

Këtë të enjte në Shkup mbahet Forumi ekonomik rajonal me pjesëmarrjen e kryeministrave të Maqedonisë Veriore Zoran Zaev, atij të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një ditë para samitit, të tre liderët kanë bërë një shëtitje së bashku në sheshin e Shkupit.

Takimi mbahet në kuadër në iniciativës së bashkëpunimit rajonal që njihet si “Mini-Schengeni” ballkanik. Sipas liderëve të këtyre shteteve, në këtë forum do të vendoset edhe për emrin e ri të kësaj iniciative që po refuzohet nga shtetet tjera.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sikurse edhe liderët tjerë kosovarë, vazhdojnë ta refuzojnë këtë inciativë, duke thënë se integrimi evropian nuk ka alternatië.

“Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘Minishengen’, tashmë janë të njohura. Kjo iniciativë nuk e ka miratimin tonë”, kanë thënë nga Zyra e Kryeministrit në lidhje me këtë.

Pos Kosovës, iniciativën deri më tash e kanë refuzuar edhe Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.

Zaev, Rama dhe Vuçiq pritet të nënshkruajnë dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore që ka për qëllim për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe thjeshtimin e formaliteteve lidhur me importin, eksportin dhe lëvizjen mallrave, bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente. \ksp