Nuk janë marrë parasysh thirrjet e diplomatëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të ministrave të Jashtëm të shteteve islamike për armëpushim, as pas një jave me bombardime ajrore izraelite që vrasin edhe gra e fëmijë në Gazë, dhe hedhjes së raketave nga Hamasi në drejtim të Izraelit.
Presidenti amerikan, Joe Biden, nuk ka treguar asnjë shenjë për t’i bërë publikisht presion Izraelit rreth armëpushimit të menjëhershëm, pavarësisht thirrjeve nga disa demokratë që administrata e Bidenit të përfshihet më shumë në krizën e fundit.
Megjithëse forcat izraelite të sigurisë dhe militantët e Hamasit janë përfshirë në valën më të madhe të dhunës që prej vitit 2014, administrata demokrate amerikane nuk ka treguar gatishmëri për të kritikuar palën izraelite në luftime dhe për të dërguar ndonjë emisar në rajon.
Dhuna nuk është ndalur, me gjithë thirrjet e shteteve tjera. SHBA-ja, aleatja më e ngushtë e Izraelit, deri tani ka bllokuar përpjekjet e Kinës, Norvegjisë dhe Tunizisë për të lëshuar një deklaratë të përbashkët të Këshillit të Sigurimit, me anë të vetos. Ndërkaq, sekretari amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, po vazhdon turneun e tij në shtetet nordike, pa ndonjë plan për t’u ndaluar në Lindje të Mesme me qëllim që t’i kundërpërgjigjet krizës.
Megjithatë, ai ka thënë se ka kërkuar çfarëdo dëshmie nga Izraeli se në ndërtesën e mediave, që u bombardua nga ushtria izraelite, po operonte Hamasi. Qeveria izraelite ka njoftuar se ka vrarë të hënën një komandant të një fraksioni palestinez gjatë ditës, kur janë bombarduar edhe tunelet e Hamasit.