Huma Komal mbërrin për ndërrimin e radhës në këtë spital të Karachit.
Ajo është e angazhuar në vijën e parë të fronit kundër pandemisë: është infermiere në njësinë e përkujdesjes intensiv për pacientët me COVID-19.
Gjërat që i ka parë me sytë e saj kanë ndikuar që të përjetojë “traumë mendore” qysh prej vitit të kaluar.
Vendi i saj, Pakistani, është duke u përballur aktualisht me një valë të tretë të pandemisë. Dhe vetëm të martën e kësaj jave vendi ka raportuar 113 vdekje, duke e çuar bilancin e përgjithshëm të fataliteteve në 19 mijë e 106.
Puna, për infermieret si Komal, është e pamëshirshme.
“Kam pësuar traumën më të keqe mendore në njësinë e përkujdesjes intensive. Ne, infermierët, kemi qenë të stërngarkuar me punë gjatë gjithë pandemisë, shkaku i numrit të madh të pacientëve. Infermierët janë sikurse ushtarët e vijës së parë të frontit. Ata madje i kanë ushqyer dhe ua kanë ndërruar pelenat pacientëve me COVID-19”, ka thënë ajo.
Qeveria pakistaneze ka bërë përpjekje që t’i zbatojë masat e duhura për ta ulur numrin e të infektuarve. Gjatë fundjavës ka vendosur masën e izolimit, duke i detyruar qytetarët që të rrinë brenda shtëpive gjatë festës së Fitër Bajramit, që u shënua pas muajit të shenjtë të Ramazanit.
Për pjesëtarët e stafit të angazhuar në repartet e stërmbushura me pacientë, ngarkesa emocionale gjatë përkujdesjes për të sëmurët dhe për ata që ndodhen buzë vdekjes është e papërllogaritshme.
“Më gëzon fakti kur pacientët shërohen nga COVID-19. Kjo e jona është një punë e vështirë, pasi luftojmë për t’u ndihmuar pacientëve që të marrin veten. Por kur nuk ia dalim dhe pacienti vdes në spital, ndiej zhgënjim të madh”, ka shtuar ajo.
Ajo madje ka menduar që ta lërë punën - për të mbrojtur veten dhe familjen. Por ende nuk është e gatshme që t'ua kthejë shpinën infermierisë dhe as pacientëve.
Dhe në Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve, ajo ka adresuar një mesazh për kolegët e saj në të gjithë botën.
"Duhet të vazhdojmë të punojmë fort, për ta shpëtuar njerëzimin me aq sa kemi fuqi”, ka thënë ajo.
Pakistani ka regjistruar më shumë se 860 mijë raste të infektimit me koronavirus që nga viti i kaluar.
Vendi ka vaksinuar rreth 4 milionë njerëz që nga marsi, pas donacionit të vaksinave nga Kina.