Presidenti i Tanzanisë, John Magufuli, ka vdekur sonte në moshën 61-vjeçare, raporton BBC.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur zëvendëspresidentja e Tanzanisë, Samia Suluhu Hassan.
Hassan ka thënë se Magufuli ka vdekur nga komplikimet në zemër. Ishte i shtrirë në spital në Dar es Saalam.
Magufuli është bërë i njohur për minimizimin e rrezikut nga koronavirusit. Madje Tanzania është nga vendet e radha që nuk ka raportuar për statistika të rasteve me COVID-19.
Magufuli nuk është parë në publik për më tepër se dy javë, dhe kanë qarkulluar spekulime për shëndetin e tij.
Politikanët opozitarë javën e kaluar kanë thënë se ai është infektuar me koronavirusin e ri, por kjo nuk është konfirmua.
“Me dhimbje të thellë ju informoj se sot...kemi humbur liderin tonë të guximshëm, presidentin e Republikës së Tanzanisë, John Pombe Magufuli”, ka thënë zëvendëspresidentja Hassan.
Ajo ka thënë se do të mbahen 14 ditë zie dhe flamujt do të ulen në gjysmë-shtizë.
Magufuli ka marrë mandatin e presidentit të Tanzanisë në tetor të vitit 2015.
Ai ishte bërë i njohur si një nga skeptikët më të mëdhenj të koronavirusit, dhe kishte thënë se mund të kurohet me lutje dhe me terapi herbale.
Tanzania nuk ka njoftuar për të dhëna për koronavirus që nga maji, dhe Qeveria e Tanzanisë refuzoi të blinte vaksina antiCOVID.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.