Botë

Italia ia bllokon vaksinat Australisë, në përshkallëzimin e ri të situatës

Veprimi italian, që përfshin 250.000 doza të vaksinave, përbën intervenimin e parë të tillë nën skemën kundërthënëse të autorizimit të eksportit nga BE-ja, të zbatuar në janar, por të papërdorur deri më tani

Romë, 4 shkurt (AP) – Italia ka aktivizuar të enjten kompetencat e Bashkimit Evropian për ta bllokuar dërgesën e 250.000 dozave të vaksinës antiCOVID-19 për Australinë, në përshkallëzimin e ri dramatik të përplasjes midis bllokut evropian dhe gjigantit farmaceutik “AstraZeneca”.

Paola Ansuini, zëdhënëse e kryeministrit italian, Mario Draghi, ka konfirmuar masën, duke shtuar se Italia dhe Komisioni Evropian janë dakorduar rreth veprimit. Veprimi italian përbën intervenimin e parë të tillë nën skemën kundërthënëse të autorizimit të eksportit nga BE-ja, të zbatuar në janar, por të papërdorur deri më tani.

Në fund të janarit, BE-ja ishte përfshirë në përplasje publike dhe të ashpra me “AstraZenecan” lidhur me vonesën e dërgesës së vaksinave, pasi që kompania e kishte njoftuar bllokun se do t’i dërgonte deri në fund të muajit mars me dhjetëra miliona doza më pak sesa që ishin dakorduar fillimisht.

Pas mospajtimeve, Komisioni Evropian kishte aprovuar masa të reja, të cilat u siguronin kompetenca shteteve anëtare për ta kufizuar eksportimin e vaksinave kundër COVID-19 jashtë bllokut, në disa rrethana.

BE-ja ka bërë të ditur se mekanizmi i ri nuk do të ndikojë në ndihmat humanitare apo dërgesat e COVAX-it, një iniciativë kjo globale që synon distribuimin e rreth 2 miliardë dozave të vaksinës në vendet më të varfra të botës.

Deri më tani, vetëm 5.5 për qind e popullatës së gjithmbarshme të bllokut prej 447 milionë banorëve ka marrë dozën e parë të një vaksine, kanë treguar të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Si rrjedhojë e procesit të ngadaltë të sigurimit dhe distribuimit të vaksinave, disa vende të zemëruara anëtare kanë kthyer sytë kah shtetet jashtë bllokut në kërkim të asistencës.