Botë

“AstraZeneca” i vë sërish “bllokadë” Evropës për vaksina

Një dokument i “AstraZenecas”, nga 10 marsi, ka treguar se kompania pritet që të dërgojë 30 milionë doza të kurës në vendet e BE-së deri në fund të marsit – që i bie 10 milionë më pak sesa është premtuar vetëm muajin e shkuar dhe sa vetëm një e treta e obligimit kontraktual

“AstraZeneca” ka nxitur të premten sërish zemërimin e Bashkimit Evropian me ngadalësimin e dërgesës së vaksinave kundër COVID-19, në ditën kur ka marrë një shtysë të re nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka minimizuar drojën që ka nxitur një numër shtetesh evropiane dhe aziatike që ta pezullojnë përkohësisht përdorimin e dozave të saj.

Bashkimi Evropian ka qenë shumë më i ngadaltë në fillimin e vaksinimit masiv sesa Britania e Madhe, shkaku i miratimit dhe blerjes më të vonshme, si dhe bllokadave të vazhdueshme të furnizimit. Rregullatorët e BE-së kanë mohuar raportet mbi shfaqjen e rasteve të mpiksjes së gjakut mes personave që kanë marrë vaksinën e “AstraZenecas”, por të premten Tajlanda u është bashkuar shteteve evropiane në pezullimin me dozën e saj – që njëherësh është më e lira dhe më e përhapura në përdorim përreth botës.

Një dokument i “AstraZenecas”, nga 10 marsi, ka treguar se kompania farmaceutike suedezo-angleze pritet që të dërgojë 30 milionë doza të kurës në BE deri në fund të marsit – që i bie 10 milionë më pak sesa është premtuar vetëm muajin e shkuar dhe sa vetëm një e treta e obligimit kontraktual.

Një zëdhënës i kompanisë ka refuzuar ta komentojë rastin, por një burim i njoftuar me rrethanat ka bërë të ditur se ka pasur telashe në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit.

Në anën tjetër, Washingtoni zyrtar ka njoftuar Brukselin se nuk do të lejojnë që dozat e “AstraZenecas”, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të shpërndahen në një të ardhme të afërt. Ndërkaq javën e kaluar Italia dhe BE-ja kanë bllokuar dërgesat e vaksinave të kompanisë nga Italia në Australi, në kuadër të zbatimit të parë të mekanizmit që ia lejon bllokut refuzimin e kërkesave për eksportim nga prodhuesit e vaksinave që i shkelin kontratat e furnizimit të bllokut. Kompania ka raportuar për probleme të prodhimit në BE, por gjithashtu ka njoftuar se pret që të dërgojë një sasi të konsiderueshme të vaksinave në vendet e bllokut nga SHBA-ja. Kontrata e detyron kompaninë të bëjë “përpjekjet më të mira të mundshme” për përmbushjen e cakut të dërgimit të 300 milionë dozave në BE, deri në fund të qershorit.

Brukseli ka shprehur me këtë rast shqetësim të madh.

“Shoh përpjekje, por jo ‘përpjekjet më të mira’. Kjo megjithatë nuk është e mjaftueshme”, ka thënë komisionari i BE-së për Industri, Thierry Breton.

Gjermania ka bërë të ditur se është në negociata me SHBA-në lidhur me dërgesat e munguara të vaksinave kundër COVID-19 nga vendi, duke cekur se më shumë se 30 vende, përfshirë SHBA-në, kanë pranuar vaksinat e prodhuara në BE.

Përveç me dërgesa, kompania ka pasur telashe gjatë javës edhe me kontestimin e sigurisë së vaksinës së saj. Gjatë së enjtes Danimarka, Norvegjia dhe Islanda kanë pezulluar përdorimin e përkohshëm të kësaj vaksine, ndërkaq Australia dhe Italia kanë stopuar një grumbull të caktuar të dozave të pranuara. Megjithëkëtë, OBSH-ja ka siguruar se vaksina e “AstraZenecas” është “e shkëlqyeshme” dhe se nuk ekzistojnë dëshmi mbi ndërlidhjen e saj me rastet e mpiksjes së gjakut.

“Është më se e rëndësishme që të kuptohet se, po, ne duhet të vazhdojmë përdorimin e vaksinës së ‘AstraZenecas’”, ka thënë zëdhënësja e organizatës, Margaret Harris. “E gjitha për të cilën kujdesemi tani është ajo për të cilën jemi kujdesur përherë: Çdo sinjal sigurie duhet të hetohet”.

Vetë kompania ka bërë të ditur ndërkaq të mos ketë gjetur ndonjë dëshmi të rrezikut të rritur të koagulimit të përkeqësuar të gjakut në mesin e 10 milionë pranuesve të evidentuar të vaksinës.