Botë

Burgu i internimit të Navalnyt, aty ku “personaliteti deformohet”

Descriptive Text

“Kolonia Ndëshkuese Nr.2 është burgu ‘më i kuq prej të kuqve’”, ka thënë avokatja Maria Eismont, e cila i përfaqëson ish-të burgosurit e kësaj qendre, duke folur për “Open Media”, një ueb-faqe opozitare e lajmeve. “Gjithçka aty është bërë asisoj që një person ta ndiejë varësinë e tërësishme të rojës”, ka thënë ajo. E në të këtilla kushte, sipas Dmitri Dyomushkinit, një politikan nacionalist që ka vuajtur dënimin në koloni, “iu deformohet personaliteti”

Alexei Navalny, politikani opozitar rus, do ta shërbejë dënimin e tij me burgim në një qendër internimi që ka marrë namin e zi shkaku i masave të ashpra disiplinore që duken të rënda edhe për standardet ruse.

Vendimi i Rusisë për ta transferuar Navalnyn në një burg të njohur gjithmbarshëm për trajtimet abuzive të të dënuarve u mor ndërkohë që Kremlini po ballafaqohet me kritika të shtuara ndërkombëtare për ndëshkimin, si dhe tentativë vrasjen e Navalnyt gjatë verës së shkuar.

Navalny u kthye në Rusi gjatë janarit, me gjithë kërcënimet e Qeverisë për arrestim, pasi që i kaloi muaj të tërë në një spital në Berlin për t’u rikuperuar nga helmimi. Ai më pas u dënua në një gjykim farsë për shkeljen e lirisë me kusht, gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, dhe u dënua me më shumë se dy vjet burgim.

Të hënën Bashkimi Evropian u vendosi sanksione katër zyrtarëve të lartë rusë që i konsideron përgjegjës për persekutimin e tij, në rastin e parë të zbatimit të kësaj mase nga blloku, nën një ligj të ri për ndëshkimin e shkelësve të së drejtave të njeriut kudo në botë. Zyrtarët e ndëshkuar janë: Igor Krasnov, kryeprokuror; Aleksandr I. Bastrykin, shef i Komitetit Hetues, një agjenci kjo e zbatimit të ligjit; Viktor V. Zolotiv, shef i Gardës Kombëtare; dhe Aleksandr Kalashnikov, shef i shërbimit rus të burgimit.

Bashkimi Evropian veçse kishte sanksionuar gjashtë rusë dhe një qendër shtetërore për kërkime shkencore në kundërpërgjigje ndaj helmimit.

Veçuar nga bota

Rusia është goditur së fundi me një tjetër valë kritikash, pas publikimit të një raporti të Kombeve të Bashkuara lidhur me helmimin e Navalnyt me agjentin ushtarak nervor, Novichok.
“Besojmë se helmimi i Navalnyt me Novichok mund të jetë ndërmarrë qëllimshëm për të dërguar një mesazh të qartë dhe të lig se ky do të mund të jetë fati i kujtdo që do ta kritikojë dhe kundërshtojë Qeverinë”, kanë bërë të ditur dy hulumtues të Kombeve të Bashkuara, Agnès Callamard, një eksperte për vrasjet arbitrare, dhe Irene Khan, eksperte për lirinë e shprehjes. Qeverisë ruse i ishte ofruar një kopje e këtij raporti dy muaj më parë, por i është dhënë kohë për t’iu përgjigjur. Mirëpo afati është kaluar pa ofruar gjë, thuhet në një deklaratë të dy eksperteve të OKB-së.

Shërbimi rus i burgjeve ende nuk ka zbardhur zyrtarisht vendndodhjen e Navalnyt, duke e pasur praktikën e zakonshme ruse të mbajtjes së të burgosurve në lokacione të pakomunikueshme gjatë transferimit dhe gjatë ditëve apo muajve të parë të qëndrimit në një burg të ri.

Image

Megjithëkëtë, raportet e lajmeve në mediat shtetërore kanë ofruar një sinjal të hershëm mbi kushtet e mundshme të burgimit të tij. Vendi, Kolonia Ndëshkuese Nr.2 dhe e njohur po ashtu me inicialet IK2, ndodhet në rajonin Vladimir të Rusisë evropiane, krejt në lindje të Moskës, duke nënkuptuar se Navalny nuk do ta shërbejë dënimin e tij me burgim në burgjet më të rënda të shtetit në Siberi apo Arktik.

Por kolonia njihet për zbatimin strikt të rregullave dhe për përdorimin e gjithmbarshëm të një lokacioni të veçuar dhe më të ashpër përbrenda mureve të tij, ku të burgosurve nuk u lejohet të takohen apo të bisedojnë qoftë edhe mes vete, kanë bërë të ditur të burgosurit e dikurshëm dhe avokatët.

Lokacioni është vend tipik për burgjet e tipit të kolonive të Rusisë, me fare pak përmirësime nga kampet e gulagut të ndërtuara në vitet ‘30. Të burgosurit jetojnë kolektivisht, në grupe prej disa dhjetëra syresh, në ato që quhen brigada të ndërtesave të ulëta, dykatëshe, rrethuar me mure dhe tela me gjemba.

Derisa rojat e mbikëqyrin burgun, të burgosurit e mbajnë disiplinën përbrenda brigadave, qoftë në bashkëpunim me rojat, një grup ky i quajtur si “aktivistët”, apo si liderë të bandave kriminale, të njohur si “plaçkitësit sipas ligjit”.

“Zona e kuqe”

Kolonia Ndëshkuese Nr.2 kontrollohet prej aktivistëve në marrëveshje të fshehtë me rojtarin, kanë bërë të ditur të burgosurit e dikurshëm. Krejt kjo në njëfarë aranzhimi që ia mundëson administratës së burgut kontrollimin më strikt të jetës së Navalnyt, gjatë gjithë kohës. Burgjet e kontrolluara prej aktivistëve quhen lokacione “të zonës së kuqe”, sipas zhargonit rus të burgut.

“Kolonia Ndëshkuese Nr.2 është burgu ‘më i kuq prej të kuqeve’”, ka thënë avokatja Maria Eismont, e cila i përfaqëson ish-të burgosurit e kësaj qendre, duke folur për “Open Media”, një ueb-faqe opozitare e lajmeve.

“Gjithçka aty është bërë asisoj që një person ta ndiejë varësinë e tërësishme të rojës”, ka thënë ajo.

Të burgosurve aty u ndalohen vizitat e rastësishme prej avokatëve, të cilat janë teknikisht të lejuara, ka thënë ajo për të përditshmen amerikane “New York Times”. “Gjithçka aty është për t’i izoluar të burgosurit politikë”.

Organizata e Navalnyt ka publikuar një përshkrim të kolonisë të hënën, duke e nënvizuar rolin e të burgosurve të mbajtur aty në menaxhimin e popullatës.

Me të mbërritur aty, megjithatë, rojat i shtrëngojnë të burgosurit që ta xhirojnë një video të kodit të nderit të burgut, në të cilën duhet të thonë: “Nuk e mbështes mënyrën e jetesës së të burgosurve”.

Është ky, në fakt, një pranim i autoritetit të aktivistëve, thuhet në këtë përshkrim, por kjo besnikëri nuk mund të shprehet haptas, ngase, duke folur zyrtarisht, grupet e aktivistëve ishin shpallur të jashtëligjshme një dekadë më parë.

Në të njëjtën kohë, në Koloninë Ndëshkuese nr.2, aktivistët i komandojnë të burgosurit vartës që të kryejnë detyra të pakuptimta, si rregullimi i shtretërve disa herë gjatë ditës, apo zhveshja dhe veshja sërish, kanë treguar dëshmitë e ish-të burgosurve.

Dmitri Dyomushkin, një politikan nacionalist që ka vuajtur dënimin në koloni, i ka përshkruar kushtet në brigadën e veçuar të ndëshkimit, aty ku Navalny mund të “avullohet” edhe për shkelje aq të vogla sa mospërthekimi i pullave të xhupit, si psikologjikisht trishtues.

Të burgosurit, për shembull, duhet të rruhen çdo mëngjes, por kjo gjë nuk u lejohet që ta bëjnë të vetëm, për shkak se nuk u lejohet që të mbajnë në duar briskun; në vend të kësaj, brisqet i “menaxhojnë” aktivistët, kështu që të prerat dhe gërvishtjet janë të shpeshta, ka thënë aktivisti, i cili ka folur për të përditshmen “New York Times”.

Të burgosurit kalojnë orë të tëra duke qëndruar me duart e mbërthyer prapa shpinës, duke i shikuar shputat e këmbëve, të ndaluar që të krijojnë kontakt të drejtpërdrejtë me rojat, ka thënë Dyomushkin në një intervistë për radiostacionin “Echo of Moscow”. Të burgosurit i shfrytëzojnë tualetet që nuk janë të veçuara prej njëra-tjetrës, ndërkaq nevojat fiziologjike duhet t’i kryejnë para një aktivisti, ka shtuar ai.

“Do të gjejnë shumë mënyra për të ushtruar presion mbi të”, ka thënë Dyomushkin për qëndrimin e Navalnyt në Koloninë e Ndëshkimit Nr2. Në të këtilla kushte, ka shtuar ai, “iu deformohet personaliteti”.