Më të vegjlit, të cilët konsiderohen të jenë fryte të militantëve të dyshuar të Shtetit Islamik, mbesin të papajisur me dokumente zyrtare civile në Irak. Por më shumë se kaq, ata e paguajnë çmimin e të cilësuarit si “fëmijë të ISIS-it”, duke u përjashtuar nga shoqëria, duke u përgojuar dhe jo rrallëherë edhe duke u braktisur nga vetë nënat e tyre
Të përjashtuar, përgojuar e nganjëherë edhe krejtësisht të braktisur: ky është çmimi i rëndë që paguajnë me mijëra fëmijë në Irak, të cilët konsiderohen të jenë fryte të militantëve të dyshuar të Shtetit Islamik.
Në kampin Hassan Sham për personat e zhvendosur në veri të Irakut, Aisha pesëvjeçare, babai i së cilës ishte zhdukur pasi t’i ishte bashkuar Shtetit Islamik, po e bezdiste pa ndalim të ëmën e saj, për shkak se donte të shkonte në shkollë.
“Ajo vazhdimisht qan, duke thënë se dëshiron që të shkojë në shkollë. I them se nuk mundet: ajo nuk e ka një shtetësi”, thotë e ëma e saj, duke refuzuar që të identifikohej me emër.
Sikurse mijëra fëmijë të tjerë të lindur nga prindërit, të cilët kanë jetuar në rajonet e qeverisura nga Shteti Islamik midis viteve 2014 dhe 2017, Aisha nuk e ka një certifikatë zyrtare të lindjes, dhe tani nuk ekziston ndonjë mënyrë e lehtë për ta siguruar një të tillë.
Dhe pa dokumente, shërbimet themelore si arsimimi dhe qasja në përkujdesje shëndetësore zor se mund të sigurohen. Më 2018, ministria irakiane e Arsimit kishte lëshuar një urdhëresë që ua lejonte regjistrimin në shkolla fëmijëve pa dokumente, por organizatat humanitare joqeveritare kanë bërë të ditur se ajo jo gjithmonë është zbatuar në praktikë.
“Ekzistojnë shumë ndërlikime që lidhen me regjistrimin e fëmijëve të lindur gjatë viteve të qeverisjes së ISIS-it. Shumë prej tyre nuk janë regjistruar ende”, ka thënë Karl Shembri, këshilltar rajonal për media në Këshillin Norvegjez për Refugjatë (NRC). “Ata nuk posedojnë dokumentacionin civil, gjë kjo që i përjashton prej të drejtave të tyre themelore si qytetarë irakianë”, ka shtuar ai.
Në vitin 2019, NRC-ja kishte përllogaritur se janë rreth 45.000 fëmijë pa dokumente që jetojnë nëpër kampe të Irakut.
Telashet burokratike

Për regjistrimin e Aishas tek autoritetet adekuate, nëna e saj ka thënë se duhet që së pari të ofrojë garanci zyrtare se nuk ka më kurrfarë lidhjesh me Shtetin Islamik.
Për këtë ajo duhet që të ballafaqohet me një mal të tërë procedurash burokratike, përfshirë komunikimet me autoritetet lokale, paraqitjet para gjykatave dhe agjencive të sigurisë, si dhe mbulimin e tarifave administrative, të cilat thotë se nuk mund t’i sigurojë.
Në një tendë tjetër, një nënë e tetë fëmijëve thotë se është e shqetësuar për mbesën e saj Dima, e cila ishte lindur në kamp por prindërit e saj ishin martuar nga mullahët e Shtetit Islamik, përbrenda komunitetit të tyre në krahinën Salahuddin.
Dima jo vetëm se nuk ka një certifikatë zyrtare të lindjes, por as prindërit e saj nuk kanë dokumente valide martesore – të kërkuara me ligjet irakiane për regjistrimin e çdo fëmije.
“Nuk kishim certifikata që lëshoheshin nga gjykatat apo nga Qeveria. Dhe certifikatat e ISIS-it nuk janë valide për Qeverinë. I shqyem dhe i hodhëm ato”, ka thënë gjyshja, që po ashtu nuk pranoi të identifikohej.
Stigmatizimi shoqëror
Autoritetet irakiane janë në dijeni për gjendjen e rëndë të këtyre fëmijëve. Ministria e Brendshme ka bërë të ditur për Reutersin se Qeveria ka krijuar një komitet ndërministror, të angazhuar me adresimin e çështjes.
Zëdhënësi i Ministrisë për Migrim, Ali Abbas, ka thënë se janë evidentuar deri më tani rreth 400 familje nëpër kampet e Irakut verior që kanë fëmijë të papajisur me dokumentacione civile.
“Fëmijët e lindur nën ISIS-in e kanë një problem”, ka thënë Abbas. “Kur nuk ka certifikata martesore, si mund ta dimë ne se një grua është përnjëmend nëna e atij fëmije?”.
Të përballura me këtë ngërç ligjor, disa nëna detyrohen që të marrin vendime të vështira, nganjëherë edhe të papërballueshme.
“Praktika e rëndomtë për zgjidhjen e gjithë kësaj është që gratë të martohen me dikë tjetër që do t’i adoptonte fëmijët e tyre apo të martohen me dikë në familje, si vëllain e burrit”, ka thënë Lahib Higel, një analist i lartë irakian në Grupin e Krizës.
Por frika dhe urrejtja ndaj Shtetit Islamik vazhdojnë dhe fëmijët, baballarët e të cilëve kanë lidhje me grupin, janë duke u trajtuar si të dëbuar, në atë që po e pamundëson riintegrimin e tyre në shoqëri.
Në një tendë të afërt në kamp, një nënë 24-vjeçare e dy fëmijëve pa dokumente ka filluar që t’i mbledhë plaçkat. Kjo ngase asaj i është bërë një propozim për martësë, mundësi kjo e papritur për dalje nga kampi dhe nisjen e një jete të re, si gruaja e dytë e një burri në vendlindjen e saj në Salahuddin.
Sidoqoftë, burri i saj i ardhshëm i ka kërkuar që në shtëpinë e tij të vinte pa fëmijët, tre dhe katër vjeç, dhe ajo është pajtuar që t’i linte ata tek gjyshja e tyre në kamp.
“Ajo i la fëmijët dhe shkoi për t’u rimartuar. Bashkëshorti i saj i ri nuk i do ata, ai thotë se ata janë fëmijë të ISIS-it”, ka thënë gjyshja e tyre.
Ky nuk është një rast i izoluar, ka thënë Belkis Wille, një zyrtare e lartë e organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch”. “Shumë herë gratë thonë se bashkëshortët e tyre të rinj refuzojnë që t’i pranojnë fëmijët, ngase ata perceptohen si ‘të kontaminuar me gjakun e ISIS-ut’, andaj këta fëmijët braktisen dhe lihen me shërbime të pamjaftueshme, pa të drejtë në arsimim dhe larg nënave të tyre”, ka thënë Wille.
Duke luftuar për t’i mbajtur lotët teksa i përqafon fëmijët për lamtumirën e fundit, nëna e re hipën në taksinë që do ta çojë drejt bashkëshortit të saj të ri. Pak pas kësaj, fqinjët mblidhen përreth, duke premtuar se do të ndihmojnë. E fëmijët e përlotur qetësohen kur u jepen disa ëmbëlsira, fare të pavetëdijshëm se nëna e tyre nuk do të kthehet më kurrë.