Botë

Bideni, nga sot ka qasje tek informacionet e zbulimit

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden pritet të informohet sot (e hënë) për herë të parë, me raportin ditor të përgatitur nga komuniteti amerikan i zbulimit mbi çështje të sigurisë kombëtare, ndërsa përgatitet të marrë detyrën në janar.

Biden dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris pritet gjithashtu të shpallin sot emrat e ekipit të tyre ekonomik.

Organizata të shumta mediatike, bazuar në informacione nga njerëz në dijeni të procesit, kanë njoftuar se Neera Tanden do të emërohet për të udhëhequr Zyrën e Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa ekonomistja Cecilia Rouse pritet të shërbejë si kryetare e Këshillit të Konsulentëve mbi Ekonominë.

Bideni ka emëruar tashmë ish-kryetaren e Rezervës Federale, Janet Yellen për postin e Sekretares së Thesarit dhe pritet të zgjedhë Wally Adeyemon për të shërbyer si zëvendësi kryesor i Yellenit.

Të dielën, Bideni dhe Harrisi njoftuan ekipin e tyre të komunikimit publik, i përbërë i gjithi nga gra.

"Komunikimi i drejtpërdrejt e me vërtetësi ndaj popullit amerikan është një nga detyrat më të rëndësishme të një presidenti dhe këtij ekipi do t'i besohet përgjegjësia e jashtëzakonshme e krijimit të lidhjes mes popullit amerikan me Shtëpinë e Bardhë", tha Bideni në një deklaratë.

"Këta ekspertë të kualifikuar e me përvojë, do të sjellin qasje të ndryshme në punën e tyre dhe një angazhim të përbashkët për ndërtimin më mirë të këtij vendi", shtoi ai.

Kate Bedingfield, e cila ka shërbyer si drejtore e komunikimit për fushatën Biden-Harris, u emërua për postin e drejtoreshës së komunikimit në Shtëpinë e Bardhë.

"Do të jetë gjithashtu një nder të punoj së bashku me gratë e jashtëzakonshme, me të cilat po marr këtë rol", shkroi ajo në një postim në Twitter.

Bedingfield ka punuar më parë për Bidenin kur ai ishte në detyrën e nënpresidentit në administratën Obama. Pili Tobar, e cila ka shërbyer si nëndrejtore e organizatës “America’s Voice”, një grup që përkrah reformën në sistemin e imigracionit, do të shërbejë si zëvendëse e saj.

Ashley Etienne, e cila ka shërbyer si drejtore e komunikimit për kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, u emërua për postin e drejtores së komunikimit për Harrisin.

Symone Sanders, e cila ka punuar për senatorin Bernie Sanders gjatë fushatës së tij presidenciale, do të shërbejë si këshilltare e lartë dhe zëdhënëse kryesore e shtypit për nënpresidenten.

Jen Psaki, e cila ka mbajtur disa pozicione që lidhen me çështje të komunikimit në administratën Obama, është emëruar Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë. Karine Jean-Pierre, e cila ka punuar për rrjetet televizive NBC dhe MSNBC si analiste politike, do të shërbejë si zëvendëse e saj.

Procesi i tranzicionit për Bidenin filloi zyrtarisht javën e kaluar, pasi agjencia federale e njohu atë si fituesin e dukshëm të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, edhe pse presidenti Donald Trump vazhdon përpjekjet e tij për ta zhbërë fitoren e tij në zgjedhje.

Bideni ka emëruar një numër zyrtarësh që do të jenë pjesë e ekipit të tij, përfshirë drejtuesin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Sekretarin e Shtetit dhe Sekretaren e Thesarit. \ Voa