Botë

Vaksina eksperimentale e Pfizerit për COVID-19 me efikasitet gati 90 për qind

Rezultatet fillestare të testimeve të nivelit më të gjerë të vaksinës eksperimentale për COVID-19 të Pfizer/BionTech, janë shumë premtuese, shkruan “The Guardian”.

Nga Pfizer dhe BionTech është njoftuar për efikasitet 90 për qind të vaksinës kandidate, që janë rezultate shumë më të mira se që ekspertët kishin shpresuar.

Niveli i lartë i personave që i mbron vaksina nga infektimi me COVID-19 është shumë premtues. Regullatorët kanë thënë se shpresojnë të aprovojnë një vaksinë që është vetëm 50 për qind efikase, duke mbrojtur gjysmën e atyre që vaksinohen. Kompania ka thënë se të vaksinuarit nuk kanë zhvilluar efekte serioze anësore.

“Sot është ditë e madhe për shkencën dhe njerëzimin. Rezultatet e par nga Faza 3 e testimit të vaksinës për COVID-19 ofrojnë prova fillestare të aftësisë së vaksinës sonë për të parndaluar COVID-19”, ka thënë Dr. Albert Bourla, kryetar dhe shef ekzekutiv i Pfizerit. “Ne po arrijmë në një fazë vendimtare në programin tonë të zhvillimit të vaksinës në një kohë kur botës i duhet më së tepërmi, ku niveli i infeksionit po arrin përmasa rekorde, e ku spitalet janë gati të mbushura dhe ekonomitë po luftojnë të rihapen”.

Po shpresohet që vaksina të imunizojë së paku për një vit. 

Provat do të vazhdojnë ndërsa shkalla e efikasitetit mund të ndryshojë, por rezultatet fillestare tregojnë për saktësi 90 për qind.

Në Fazën 3 janë të përfshirë mbi 43 mijë persona.