Botë

Trumpi përshëndeti mbështetësit nga vetura, kritikohet se rrezikoi stafin e tij

Ekspertët mjekësorë po vënë në dyshim vendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i përshëndetur mbështetësit e tij derisa po lëvizte me makinë jashtë spitalit ku po trajtohet për COVID-19.

Është ngritur shqetësimi se presidenti amerikan, i cili ka mbajtur maskën, mund të ketë rrezikuar stafin e Shërbimit Sekret që ishte me të në makinë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, ka thënë se udhëtimi të dielën është vlerësuar si “i sigurt nga ekipi mjekësor”, raporton BBC.

Ende shtrohen pyetjet mbi seriozitetin e sëmundjes së Trumpit pas deklaratave konfliktuoze gjatë fundjavës, transmeton KOHA. Presidenti është në spital që nga e premtja, pasi kishte deklaruar orë më herët se kishte testuar pozitiv për koronavirus.

Mbi 7.4 milionë njerëz janë infektuar me COVID-19 deri tash dhe 200,000 të tjerë kanë vdekur në SHBA, sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins.