Një fenomen i fuqishëm klimatik që po zhvillohet në Oqeanin Paqësor mund të ketë ndikim të madh në temperaturat globale dhe kushtet e motit, ka paralajmëruar Zyra Meteorologjike britanike. “El Nino” pritet të jetë jashtëzakonisht i fuqishëm, ndërsa ekspertët kanë thënë se viti 2027 mund të shënojë rekord të ri të temperaturave.
Fenomeni klimatik “El Nino”, që po zhvillohet në Oqeanin Paqësor, mund të jetë më i fuqishmi në historinë e matjeve meteorologjike, ka paralajmëruar Zyra Meteorologjike Britanike.
Ky fenomen natyror shkakton rritje të temperaturave në mbarë botën dhe mund të shtojë rrezikun për mot ekstrem.
Zyra Meteorologjike Britanike ka paralajmëruar se, i kombinuar me ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, “El Nino” e bën shumë të mundshme që viti 2027 të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë.
Adam Scaife, ekspert i parashikimeve afatgjata në Zyrën Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar, e ka cilësuar situatën si të jashtëzakonshme.
“Duhet ta kemi të qartë se bëhet fjalë për një fenomen të jashtëzakonshëm. Nuk kam parë kurrë më parë një sinjal kaq intensiv të ‘El Ninos’ në parashikimet tona”, ka deklaruar Scaife.
Edhe
Një dekadë pas BREXIT-it, kryeministri i ri britanik dhe sfidat në raport me BE-në
Ky fenomen klimatik tashmë ka nisur të japë efekte në shumë vende të botës.
Në Indi janë regjistruar reshje më të pakta se zakonisht, ndërsa në Atlantik aktiviteti i uraganeve ka qenë më i ulët në kohët e fundit.
“El Nino” mund të rrisë edhe rrezikun që Mbretëria e Bashkuar të përballet me vjeshtë të lagësht dhe me stuhi.
“El Nino” shfaqet zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe zgjat rreth një vit.
Sipas meteorologëve, ky fenomen ndodh kur erërat e zakonshme mbi Oqeanin Paqësor dobësohen. Kjo bën që ujërat e ngrohta të lëvizin nga pjesa perëndimore drejt asaj lindore të oqeanit.
E ngrohja e ujërave më pas ndikon edhe në temperaturat dhe kushtet e motit në shumë vende të botës.
Edhe
Shqetësimi i Evropës nga dronët misteriozë mbi aeroporte
Shkencëtarët zakonisht e cilësojnë një fenomen si “El Nino” kur temperatura e sipërfaqes së detit në një zonë të rëndësishme të Oqeanit Paqësor është të paktën 0.5 gradë Celsius mbi mesataren afatgjatë.
Matjet aktuale tregojnë se temperaturat janë më shumë se 2 gradë Celsius mbi normalen.
Parashikimet e fundit të Zyrës Meteorologjike britanike sugjerojnë se kjo rritje e temperaturave mund të kalojë 3 gradë Celsius më vonë gjatë këtij viti, kur “El Nino” pritet t’i afrohet kulmit.
Sipas institucionit, një nivel i tillë do të ishte i paprecedentë në të dhënat që datojnë që nga viti 1950 dhe me gjasë do të përbënte fenomenin më të fuqishëm që nga shekulli i 19-të.
Temperaturat shumë të larta në thellësi të oqeanit - në disa zona rreth 8 gradë Celsius mbi normalen, në një thellësi prej 100 metrash – mund ta bëjnë “El Ninon” edhe më të fuqishëm.
Edhe
Milano po ia merr Dubait “statusin” si shtëpia e super të pasurve
Kjo sasi e madhe e ujit të ngrohtë në thellësi mund të shërbejë si një rezervuar që furnizon dhe forcon më tej fenomenin.
“Kanë mbetur edhe shumë muaj gjatë të cilëve ky fenomen do të vazhdojë të zhvillohet. Kjo është një nga arsyet pse kemi gjithnjë e më shumë besim se do të bëhet fjalë për një fenomen rekord”, ka thënë Dr. Zeke Hausfather, shkencëtar i klimës në “Berkeley Earth”, një organizatë kërkimore amerikane.