Përdhunimi dhe vrasja e një veterinareje të re në qytetin jugor të Hyderabadit ka nxitur zemërim, duke e vënë theksin tek siguria e grave në edhe një qytet indian.
Hyderabadi është zgjuar të premten me lajmet e një vrasjeje të lemeritshme: kufoma e shkrumbuar e një 27-vjeçareje ishte gjetur në periferi të qytetit, një vetëm një ditë më parë. Por vetëm në mbrëmjen e asaj së premteje, policia kishte bërë të ditur se beson se ajo ishte përdhunuar në grup dhe ishte vrarë, para se t’i vihej zjarri trupit të saj të pajetë. Katër persona janë arrestuar në lidhje me krimet.
Ndërkohë, shoku dhe neveria rreth rastit kanë nxitur protesta – tre policë që akuzohet se e kishin zvarritur regjistrimin e rastit për zhdukjen e veterinares ishin suspenduar, derisa kryeministri i shtetit ka kërkuar që rasti të trajtohet në kuadër të një gjykimi të përshpejtuar, transmeton Koha Ditore.
Megjithatë, rasti në të njëjtën kohë ka ngritur një pyetje të pashmangshme – sa i sigurt është Hyderabadi?
“Gjithnjë jam ndier e sigurt në këtë qytet, por incidentet e tilla të trondisin. Ato janë në të njëjtën kohë thirrje për të pasur kujdes”, thotë 31-vjeçarja Padmaja Rao.
“Gjithnjë jam ndier e sigurt për të udhëtuar nëpër Hyderabad. Punoj në ndërrime të ndryshme në një korporatë dhe nuk jam ndier e pasigurt edhe gjatë ndërrimeve të natës”, thotë Tamoli Das, eksperte 31-vjeçare e IT-së.
“Por do të thosha se ndjenja e pasigurisë të kaplon teksa udhëton në periferi apo në vise më pak të populluara”, ka thënë ajo në vazhdim.
Policia beson se viktima – që nuk mund të emërohet për arsye ligjore – është sulmuar në afërsi të një sheshi në periferi të qytetit, ku e kishte pasur të parkuar skuterin e saj...(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)