Botë

“Trumpi, i gatshëm të sakrifikojë interesat e Amerikës për ato personale”

Descriptive Text

Dëshmitë e reja dramatike në kuadër të hetimeve që mund të çojnë në procesin e shkarkimit të mundshëm të presidentit amerikan, pasqyruan pamje inkriminuese të Donald Trumpit.

Sipas CNN-it, Trumpi tani shihet si president i gatshëm instinktivisht të sakrifikojë interesat e Amerikës për ato personale.

William Taylor, diplomati më i lartë amerikan në Ukrainë dhe George Kent, zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, dëshmuan para Komitetit të Inteligjencës versionet e tyre lidhur me pohimet se presidenti kishte kërkuar nga ukrainasit ta hetojnë ish-zëvendëspresidentin Joe Biden dhe të birin e tij Hunter, sa ai punonte me një kompani ukrainase atje.

Plani i demokratëve gjatë dy javëve të ardhshme është të dëshmojnë se republikani Trump dëmtoi interesat e politikës së jashtme të Amerikës, për përfitime politike personale.

E duke injoruar zhvillimet në Washington, Trumpi u paraqit në një konferencë shtypi me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ndërsa seanca dëgjimore përfundoi.

Presidenti e lavdëroi Erdoganin, forcat e të cilit sulmuan aleatët kurdë të Amerikës në një operacion të fundit në Siri.

Ndërkohë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi, ka thënë se ndihet krenare me përfaqësuesit demokratë. Sipas saj, demokratët po e thonë të vërtetën dhe për shkak të angazhimit të tyre, kanë filluar edhe seancat dëgjimore.

Përndryshe, dëshmitë e dy diplomatëve të lartë, janë të parat që bëhen në seanca publike në kuadër të hetimeve që mund të çojnë në procesin e shkarkimit të mundshëm të presidentit.

Trumpi ka mohuar të ketë bërë diçka gabim dhe i ka quajtur të turpshme këto seanca.