Grenlanda ndodhet pothuajse në Polin e Veriut dhe Donald Trump do ta blejë ishullin arktik. Kjo tashmë dihet. Por a e dini, se amerikanët kanë dashur ta blejnë edhe më parë Grenlandën? E që atje dikur ka pasur pyje?
Sado absurde tingëllon, që Donald Trump do ta blejë Grenlandën, në fakt kjo ide nuk është edhe fort e gabuar. Edhe një herë tjetër një president i SHBA-së ka dashur ta blejë Grenlandën: Harry Truman, pas Luftës së Dytë Botërore, për 100.000 dollarë. Edhe atëherë qeveria daneze pati refuzuar.
Por përse Grenlanda, ishulli më i madh i botës – gjashtë herë më i madh se Gjermania – i përket një vendi të vogël siç është Danimarka? Gjeografikisht ishulli ndodhet qartazi në Amerikën e Veriut, skaji më veri-perëndimor i Grenlandës ndodhet fare pranë brigjeve të Kanadasë.
Danimarka në të kundërt ndodhet më shumë se 3000 km larg Grenlandës dhe midis tyre ndodhen Islanda dhe një pjesë e Norvegjisë.
E gjitha ka nisur me vikingët dhe me gjuetinë e balenave. Vikingët në shekullin e 18 dhe 19 mësynin nga Norvegjia në masë drejt Holandës, Gjermanisë dhe Danimarkës. Ata ndërtonin vendbanime dhe baza mbrojtëse. Ka pasur mjaft konflikte, por më në fund danezët fituan dhe përfundimisht Grenlanda e akullt më 1933 i kaloi Danimarkës.
Grenlanda ka qenë dikur e gjelbër
Grenlanda quhet vendi i gjelbër. Sepse edhe nëse sot as që mund të përfytyrohet – pasi 85 përqind e ishullit ndodhet nën një shtresë akulli – dikur në Grenlandë ka qenë shumë më ngrohtë. Studiuesit kanë gjetur gjurmë të ADN-së së pemëve, të fluturave dhe të tjera insekteve. Para 450.000 deri në 900.000 vjetësh Grenlanda ka qenë e mbuluar prej pyjeve të dendura.
Shtresa e akullit, që ka ende një trashësi prej rreth 3800 metra, po pakësohet sepse akullnajat shkrijnë. Përveç kësaj bien gjithnjë e më shumë shira, e kjo e intensifikon shkrirjen e akullnajave. Studiuesit kanë llogaritur që niveli i detit në mbarë botën do të rritej më shumë se shtatë metra, në rast se do të shkrihej i gjithë akulli i Grenlandës.
Pak njerëz, aspak rrugë
Sot në Grenlandë janë vetëm brezat bregdetar pa akull të banueshme. Kryesisht në brigjet perëndimore klima fale rrymës së Golfstrimit është më e përshtatshme për jetesë. Këtu ndodhen edhe shumica e fshatrave si dhe kryeqyteti Nuuk. Ai ka 18.000 banorë dhe është qyteti më i madh i Grenandës. Gjithsej në ishull jetojnë 56.000 banorë dhe dendësia e popullsisë është më e ulëta në botë. Vetëm në Arktik jetojnë më pak njerëz se në Grenlandë.
Në mbarë ishullin mungojnë rrugët e hekurudhat, që mund të lidhin qytetet dhe fshatrat. Rrugë ka midis qyteteve, por ato përfundojnë në periferi të qytetit. Për të shkuar nga një qytet në tjetrin banorët e Grenlandës përdorin avionë, anije, helikopterë, gomone ose slita me qen.
Me ndryshimin e klimës edhe në Grenlandë mund të ndryshojë diçka. Më pak akull në këtë ishull nënkupton edhe më shumë hapësirë jetese për njerëzit. Shkrirja e akujve çliron lëndë të para të rëndësishme, të cilat janë të mbrojtura: Ndër të tjera naftë, minerale të rralla, gaz natyror dhe uran.
Së shpejti do të nisë gjuetia për elementë të tillë. E presidenti i SHBA-së si biznesmen ka një nuhatje të fortë për të tilla gjëra/DW.