Katër ditë pas zgjedhjeve evropiane është mirë që dikush hedh vështrimin mbi Bashkimin Evropian nga jashtë. Evropa merret kryesisht me veten e saj, pasi partitë e Qendrës e humbën peshën në Parlamentin Evropian dhe populistët e djathtë dhe nacionalistët, morën më shumë vota në disa vende.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Gueterres, paralajmëroi në fjalimin e mbajtur gjatë marrjes së Çmimit Karl në Aachen të Gjermanisë, për shtimin e politikës së urrejtjes dhe përçarjes në Evropë, por njëkohësisht kujtoi shanset e Bashkimit Evropian. Evropa, thotë mesazhi i guximshëm i sekretarit të Përgjithshëm të OKB, po bëhet më e rëndësishme dhe e domosdoshme sot, në një botë gjithnjë e më kaotike, më të çrregullt dhe të brishtë.
Me përpjekjet e saj për të vendosur marrëdhënie të bazuara në rregullat mes shteteve dhe balancimin paqësor të interesave, BE duhet të kthehet në shembull për gjithë pjesën tjetër të botës, thotë ish kryeministri portugez, Guterres. Ai e di për çfarë po flet, sepse ai ka kontribuar 20 vjet më parë në integrimin e BE. Në vlerësimin e shefit të Kombeve të Bashkuara, Evropa është një kolonë e domosdoshme e “multilateralizmit”, pra bashkëpunimit të shteteve dhe grupeve të ndryshme të interesave, për zgjidhjen e problemeve globale si ndryshimi i klimës, migracioni, varfëria ose digjitalizimi i ekonomisë. Në gjithë botën BE është një fidanishte e humanizmit dhe e të drejtave të njeriut, me gjithë deficitet që ka në politikën e pakoordinuar dhe në qëndrim mbrojtës në fushën e migracionit.
Për bashkëpunim, kundër Trump dhe Co.
Evropianët duhet të jenë krenarë për gjykimin e dhënë nga një politikan me përvojë, që lëviz në gjithë botën. Ju nuk duhet ta bëni veten më të vegjël se sa jeni dhe faktikisht duhet të shihni pak më larg se problemet që keni. Marrësi i Çmimit Karl, i bashkëngjitet apelit pasionant të presidentit francez Emmanuel Macron, që kërkon “rilindjen” e një Europe sovrane dhe një politikë të përbashkët të jashtme. Macron e morri çmimin Karl, vlerësimin më të rëndësishëm politik të kontinentit, vitin e kaluar. Çmimi që iu dha këtë vit Guterres, është edhe sinjal për t’iu kundërvënë egomanëve dhe nacionalistëve të llojit të presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin ose presidentit brazilian, Jair Bolsonaro.
Sfida më e madhe që ka bota përpara dhe bashkë me të edhe Evropa është ngrohja e tokës e shkaktuar nga njerëzit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB tregon shqetësim dhe frustrim, se lufta kundër ndryshimit të klimës është e ngadaltë. Ai është duke mbështetur tani të rinjtë në Evropë, që duan të venë gjërat në lëvizje. Evropa duhet të kthejë ekonominë deri në vitin 2050 në ekonomi që të mos dëmtojë klimën. Po ashtu Evropa duhet të ndryshojë sistemin e taksave në mënyrë që nxjerrja e dioksidit të karbonit të jetë e shtrenjtë. Njohja e problemeve nuk mjafton, tani kërkohen vepra, është mesazhi që lëshon mbajtësi i Çmimit Karl. Këtë e treguan edhe zgjedhjet në Evropë, që treguan se europianët, të paktën ata të Evropës Perëndimore mund të mobilizohen në mbrojtje të klimës.
Ky moment duhet marrë në dorë nga politikanët dhe deputetët e parlamentit të ri që siç kërkon Antonio Guterres, të japin një shembull të aktivizimit të duhur në një botë që po bëhet gjithnjë e më kaotike. Populizmi dhe nacionalizmi çojnë në spirale rënieje, thotë analiza e duhur. Në Evropë dhe në gjithë botën. Qytetarët evropianë duhet të mos shohin vetëm çështjet e brendshme, por të kuptojnë përgjegjësinë që kanë në komunitetin ndërkombëtar. “Evropa është shumë e rëndësishme, dhe nuk guxon të dështojë”. Ky është mesazhi kryesor i fjalimit të Antonio Guterres në Aachen. Ai ka të drejtë në shumë drejtime. Shpresa është që Evropa ta dëgjojë./DW