Botë

Vazhdojnë protestat në Francë, dhjetëra të arrestuar edhe këtë fundjavë

Të paktën 44 persona u arrestuan gjatë protestave të “jelekëve të verdhë”, që edhe në këtë fundjave protestuan në të gjithë Francën.

Sipas autoriteteve franceze, në mbarë vendin në rrugë dolën më shumë se 46.000 qytetarë, transmeton KTV. Protestat e para u mbajtën më 17 nëntor të 2018-s, kundër rritjes së çmimit të karburanteve.

Megjithatë, protestat u shndërruan në pakënaqësi të përgjithshme me politikat e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Ashtu sikurse javët e kaluara, protestuesit u mblodhën në Champs-Elysees të Parisit. Ndërsa, gurëve dhe mjeteve të forta të protestuesve, Policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Si pasojë e këtyre protestave, jetën e kanë humbur 11 persona dhe 8,400 të tjerë janë plagosur. Dënime me burgim u caktuan për rreth 1,800 persona.