Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

11 të vdekur dhe 4 të lënduar si pasojë e zjarrit në një fabrikë në Indi

11 persona kanë vdekur dhe të paktën 4 të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri masiv që ka përfshirë një fabrikë të ngjyrave në kryeqytetin e Indisë, New Dehli.

Zyrtarët e zjarrfikësve kanë thënë që flaka ka filluar të enjten vonë në katin përdhes të fabrikës, duke bllokuar viktimat në katet sipër pa rrugëdalje. Ndërtesa, e cila gjithashtu përmban një magazinë kimike, ndodhet në zonën Alipur në pjesën veriore të New Dehlit.

Shkaku i zjarrit nuk është akoma i qartë.

Trupat e djegur të 11 viktimave janë nxjerrë nga rrënojat pasi 22 zjarrfikës fikën zjarrin pas më shumë se 5 orëve përpjekje. Viktimat nuk janë identifikuar akoma.

Zjarret janë të zakonshme në Indi, ku ligjet e ndërtimit dhe normat e sigurisë shpesh nuk respektohen nga ndërtuesit dhe banorët.