Besa Shahini, kandidate për kryetare të Komunës së Prishtinës nga Partia Socialdemokrate (PSD), duke diskutuar për krizën e banimit dhe ngritjen e çmimeve të banesave, tha se përgjegjësia kryesore bie mbi Komunën e Prishtinës si mbikëqyrëse e projekteve ndërtimore.
“Përgjegjësja kryesore është komuna sepse është mbikëqyrëse e projektit dhe që ka dhënë lejet dhe se është dashtë me e mbikëqyr më mirë procesin. Nevoja për banim është e madhe, përkundër që është ndërtu shumë, ka shumë banesa nga pronarët e tokave, pronarët e banesave, mirëpo ato nuk janë vendos në treg, por banorët e Prishtinës nuk kanë më qasje pasi që çmimi është shku shumë, shumë lart. Një banesë që është shit për 800-900 euro para tri viteve, sot është 1400-1500 euro metri katror. Thjesht është e papërballueshme”, tha Shahini.
Ajo theksoi në “Tempus” se për të lehtësuar qasjen në treg të banesave ekzistuese, është e domosdoshme që pronarët të pajisen me certifikata pronësie dhe që ky proces të mos mbetet barrë e tyre, por të merret përsipër nga Komuna.
“Unë besoj që është e rëndësishme që të pajisen me certifikata të pronësisë pronarët, pasi që mund të tregtojnë shumë më lehtë. Duhet komuna ta marrë përsipër procesin dhe kjo barrë mos t’u lihet pronarëve të banesave kolektive për të aplikuar. Procesi i regjistrimit të banesave duhet të kryhet nga komuna dhe kjo ndihmon banorët që t’i fusin në treg banesat, dhe kjo e ul çmimin dhe ul nevojën për ndërtim të mëtejshëm”, tha Shahini. /BetimipërDrejtësi
