Eksperti Ardian Olluri, njëherësh ish-drejtor i Urbanizmit, duke folur për çështjen e legalizimit të ndërtimeve, tha se nuk ka mungesë të stafit për të dhënë certifikatë përdorimi, por ka mungesë të kërkesave.
“Pra, unë besoj së paku kur unë kam qenë drejtor i Urbanizmit, nuk ka pas mungesë të kapacitetit apo vullnetit të institucionit për me i lëshu certifikatat e përdorimit, por ka pas mungesë të kërkesave për certifikatë të përdorimit”, tha Olluri.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Olluri tha se procesi i legalizimit ka të bëjë me ndërtimet që kanë ndodh në të kaluarën në mungesë të institucioneve, e më vonë në mungesë të kapaciteteve të institucioneve për të kontrolluar ndërtimin dhe për t’iu përgjigjur kërkesave për ndërtim.
“Për lejet ndërtimore me sa unë kam njohuri nuk ka ndonjë telashe, mundet me pas vonesa në institucione”, tha Olluri.
Eksperti tha se problemet shfaqen tek certifikata e përdorimit.
“Këto probleme shfaqen për shkak të moszbatimit të lejeve ndërtimore. Ka probleme në kontrollin gjatë ndërtimit. Pra, kemi mungesë të kontrollit- inspektimit gjatë ndërtimit dhe shpesh ndërtuesi nuk e respekton lejen ndërtimore dhe pastaj nuk aplikon për certifikatë të përdorimit apo edhe për inspektim final”, u shpreh Olluri.
Procesi i legalizimit, ai tha se nuk ka shkuar siç e kanë parashikuar, pasi i është lënë barrë komunave, të cilat kanë mungesë të kapaciteteve financiare dhe mungesë të resurseve njerëzore.
Në rajonet rurale, tha se është vërejtur mungesë e interesimit për legalizim të shtëpive, kurse vërehet edhe mungesë e interesimit të ndërtuesve për të aplikuar për legalizim- sepse sipas tij, hezitojnë të marrin barrën financiare dhe të ndjekin procedurat që nevojiten.
Ai tha se edhe pengesat ligjore- çështjet pronësore kanë qenë pengesë e legalizimeve. /BetimipërDrejtësi
Shahini: Banesat e pabanuara të paguajnë taksë më të lartë, kështu do të binte çmimi i qirave
Besa Shahini, kandidate për kryetare të Komunës së Prishtinës nga Partia Socialdemokrate (PSD), tha se një nga masat konkrete që mund të marrë Komuna e Prishtinës është aplikimi i një takse më të lartë për banesat e pabanuara, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e çmimeve të qirave.
“Ka shumë hapa që mundet t’i ndërmarrë komuna me ndryshime ligjore. Nëse ka problem me banim, ndërkohë ka shumë banesa të pashfrytëzuara, aplikohet jashtë një takse e mosshfrytëzueshmërisë. Në këtë rast duhet ta paguash një taksë pak më shumë sesa është taksa e zakonshme. Në tatimin në pronë në Prishtinë është në nivel shumë të ulët, fasha është prej 0.2 deri 1% që mund ta aplikojë komuna, ndërsa Komuna e Prishtinës e aplikon 0.2%, domethënë më të voglën taksë të mundshme”, tha Shahini në “Tempus“.
Ajo theksoi se aplikimi i taksave më të larta për banesat e pashfrytëzuara është një praktikë që tashmë përdoret në vende të ndryshme të botës.
“Nëse për banesat e pashfrytëzuara aplikohet taksë më e lartë, natyrisht që u konvenon njerëzve që t’i lëshojnë me qira ose t’i fusin në shitje sepse është taksë më e shtrenjtë. Nuk është shpikje e jona, është praktikë në Kroaci, Bullgari, Francë, Spanjë, Kanada. Është e pashmangshme në mënyrë që banorët që jetojnë në një vend të kenë qasje në banim i cili është i aksesueshëm. Për momentin në Prishtinë, të rinjtë dhe ata që kanë nevojë për banim, e kanë jetën çdo ditë e më të vështirë për shkak të çmimit të lartë të banimit”, tha Shahini. /BetimipërDrejtësi
Olluri: Banesat pa certifikatë përdorimi s’do të duhej të merrnin shërbime komunale
Ardian Olluri, ish-drejtor i Urbanizmit tha se banesat pa certifikatë përdorimi nuk do të duhej të merrnin shërbime komunale.
Olliri tha se Komuna ka përgjegjësi për mungesën e inspektimin nëse kjo ndodhë.
“Unë e shoh që ne si shoqëri nuk iu kemi qasur me seriozitet kësaj çështjeje” tha Olluri në “Tempus”.
Ai tha se me Kodin Penal shkeljet në ndërtim janë vepra penale, ndërsa sa ka kallëzime penale, eksperti tha se nuk kemi parë në medie.
“Nuk kemi pa shumë raste kur janë bërë kallëzime penale apo janë ngritur aktakuza, zakonisht kur ngriten aktakuza bëhen mediatike, raste të tilla nuk kemi pa”, tha Olluri.
Olluri shtoi se Ligji për ndërtim parasheh dënime dhe objektet pa leje nuk duhet të lejohen, pra, sipas tij, objektet pa leje marrin shërbime komunale edhe pse nuk kanë leje. /BetimipërDrejtësi
Olluri: Edhe ne që i legalizonim banesat s’besonim që ato pa certifikatë do të rrënoheshin
Eksperti Ardian Olluri, njëherësh ish-drejtor i Urbanizmit, në emisionin “Tempus” në KTV, duke folur për procesin e legalizimit të objekteve në Prishtinë, tha se pasojat që parasheh ligji për mosaplikim janë të paimagjinueshme dhe të parealizueshme në praktikë.
“Cila është pasoja e mosaplikimit për legalizim? Ligji thotë që hyn në listën e rrënimit. Edhe ne që jemi marrë me legalizimin, asnjëherë s’kam besu që një objekt ka me u rrënu pse nuk aplikon për legalizim. Është e paimagjinueshme me shku me ia rrënu dikujt shtëpinë ku ka jetu 20 vjet, pse s’ke apliku për legalizim. Ose objektet kolektive ku janë duke jetu njerëzit që i kanë ble banesat, dhe pronari ndërtues nuk aplikon për legalizim se s’deshiron me bajtë barrën, tash me shku me ia rrënu”, tha Olluri.
Ai theksoi se është e domosdoshme të parashihen pasoja më reale dhe të zbatueshme, në vend të rrënimit të objekteve.
“Edhe ne s’kemi besu në ato pasoja. Duhet me parapa pasoja tjera, duhet me qenë më realist. Unë them që shërbimet komunale janë një prej pasojave që mund me qenë”, tha Olluri. /BetimipërDrejtësi
Shahini: Ka nevojë për banim, njerëzit kanë ble banesa, por ato s’janë në treg as për qira as për shitje
Besa Shahini, kandidate për kryetare të Komunës së Prishtinës nga Partia Socialdemokrate (PSD), duke diskutuar për krizën e banimit dhe ngritjen e çmimeve të banesave, tha se përgjegjësia kryesore bie mbi Komunën e Prishtinës si mbikëqyrëse e projekteve ndërtimore.
“Përgjegjësja kryesore është komuna sepse është mbikëqyrëse e projektit dhe që ka dhënë lejet dhe se është dashtë me e mbikëqyr më mirë procesin. Nevoja për banim është e madhe, përkundër që është ndërtu shumë, ka shumë banesa nga pronarët e tokave, pronarët e banesave, mirëpo ato nuk janë vendos në treg, por banorët e Prishtinës nuk kanë më qasje pasi që çmimi është shku shumë, shumë lart. Një banesë që është shit për 800-900 euro para tri viteve, sot është 1400-1500 euro metri katror. Thjesht është e papërballueshme”, tha Shahini.
Ajo theksoi në “Tempus” se për të lehtësuar qasjen në treg të banesave ekzistuese, është e domosdoshme që pronarët të pajisen me certifikata pronësie dhe që ky proces të mos mbetet barrë e tyre, por të merret përsipër nga Komuna.
“Unë besoj që është e rëndësishme që të pajisen me certifikata të pronësisë pronarët, pasi që mund të tregtojnë shumë më lehtë. Duhet komuna ta marrë përsipër procesin dhe kjo barrë mos t’u lihet pronarëve të banesave kolektive për të aplikuar. Procesi i regjistrimit të banesave duhet të kryhet nga komuna dhe kjo ndihmon banorët që t’i fusin në treg banesat, dhe kjo e ul çmimin dhe ul nevojën për ndërtim të mëtejshëm”, tha Shahini. /BetimipërDrejtësi