Me projektligjin për buxhetin e vitit 2023, do të këtë ulje të buxhetit për sistemin prokurorial, derisa numri i pozitave në këtë sistem do të ngritët për 26.
Krahasuar me vitin 2022, KPK-ja do të këtë mbi 1.2 milionë euro më pak në vitin që vjen. Kjo, sipas Valdrin Krasniqit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, do ndikojë direkt në mospërmbushjen e planeve të Këshillit, raporton “BetimiPërDrejtësi”.
“Nga qarkorja e dytë buxhetore e cila është lëshuar nga ana e Ministrisë Financave e përkatësisht qarkorja e njëjtë është vendosur në projektligjin e buxhetit për vitin 2023, zyrtarisht jemi njoftuar se kërkesa jonë buxhetore nuk është aprovuar konform kërkesave tona, që nënkupton se nga këto kërkesa prej 21 milionë euro total sa ka qenë është aprovuar në vlerë prej 15 milion e 913 mijë euro, do të thotë për afërsisht mbi 5 milion euro është më pak kërkesa jonë në krahasim sesa Qeveria ka planifikuar për sistemin prokurorial për vitin e ardhshëm”, ka thënë Krasniqi, u.d i drejtorit të Sekretariatit të KPK-së.
Sipas Krasniqit, me shtimin e kompetencave përmes ligjeve do të kenë nevojë për staf, duke përmendur edhe faktin se secili prokuror duhet të ketë një bashkëpunëtor profesional .
“Ne kemi kërkuar me kërkesën tonë buxhetore që të kemi një rritje të numrit të prokurorëve ve prej 38 prokurorë më tepër se sa që janë aktualisht në sistemin prokurorial dhe kemi marrë në konfirmim se na u janë lejuar vetëm 4 pozita për prokurorë dhe atë vetëm në Prokurorinë Speciale departamenti e krimeve të luftës”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se me Kodin e Ri të Procedurës Penale, i cili është miratuar në Kuvend, iu janë shtuar kompetencat Prokurorisë së Apelit dhe se edhe në nivel të zyrtarëve është shqetësuese mosadresimi apo mosaprovimi i kërkesave ku edhe përmes ligjit parashihet për çdo prokuror të jetë së paku një bashkëpunëtor profesional.
Edhe
KPK-ja kërkon buxhet shtesë për vitin 2027
“Ende do të vazhdojmë edhe në vitin e ardhshëm, çdo herë në bazë të qarkores buxhetore e cila është lëshu nga Ministria e Financave që ne mos të arrijmë të zbatojmë atë dispozitë të ligjit, sepse në total do të kemi 210 prokurorë së bashku me 4 pozitat të cilat janë lëshuar, mirëpo nuk do t’i kemi 50 bashkëpunëtorë, do të thotë do të jenë minus 50 bashkëpunëtorë dhe 50 prokurorë do të jenë pa bashkëpunëtorët të tyre ashtu siç e parasheh ligji”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se shqetësuese vazhdon të jetë çështja me mbrojtësit e viktimave ku në gjithë Kosovën janë vetëm 18 mbrojtës. Ai thotë se kanë mungesë edhe të referentëve për ndërmjetësim, të cilët parashihen me legjislacionin për ndërmjetësim si dhe pozita tjera si dhe e ekspertit ushtarak për Prokurorinë Speciale dhe Departamentin Krimeve të Luftës.
“Shumë shkurt mund të them se ulja e buxhetit për sistemin prokurorial nënkupton mosmundësi për zbatimin e dispozitave të legjislacionit, të ligjeve të cilat janë miratuar nga ana e Kuvendit të Kosovës”, është shprehur ai.