Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

MD-ja thotë se nuk ka kompetenca të ndërmarrë veprime për punëtorët e gjykatës

Ministria e Drejtësisë ka thënë se është e njoftuar me rastin ku ndërmjetësuesit në Gjilan kanë ngritur shqetësimet për keqpërdorim të pozitës nga ana e zyrtarit Artan Arifi se ndarjen e lëndëve të ndërmjetësimit e ka bërë në mënyrë selektive, por ka thënë se nuk ka kompetenca ligjore për marrjen e ndonjë veprimi.

“Përkundër mundësisë që të ketë ndodhur ndonjë keqpërdorim nga ana e referentit për ndërmjetësim sa i përket përzgjedhjes se ndërmjetësuesve te rajonit përkatës, Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetencë ligjore që të ndërmerr ndonjë veprim, për faktin se referenti është punëtor i Gjykatës dhe i përgjigjet vetëm Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas përgjigjes së zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, Departamenti i Profesioneve të Lira, do të mbajë takim me kryetarin e ri të Gjykatës së Gjilanit ku do diskutohet edhe kjo situatë, pasi sipas MD-së takimi i Kryetarës së Odës se ndërmjetësuesve me ish-kryetarin e Gjykatës Themelore ne Gjilan, nuk ka pasur rezultat konkret.